
Fshihen fjalët, fjalitë e vizatimet e ndyra në objektin e Bibliotekës Kombëtare
Dhjetëra fjalë e fjali të ndyra e vizatime të përçudshme në muret e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës shkruar me bojë para dhjetë vjetësh nga qytetarë të papërgjegjshëm janë fshirë pardje. “Imazhi i keq, i lënë në harresë, u ndreq”, ka shkruar gazetari dhe publicisti Berat Armagedoni në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Një ndërhyrje në muret e Bibliotekës Kombëtare që është dashur të bëhej që dhjetë vjet, u bë sivjet. U bë në këtë javë për dy ditë punë. Një imazh i keq, i lënë në harresë, u ndreq nga drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova Gaxha. Shpresoj që, ata që kanë dëshirë të shkruajnë në rrasa dhe gurë, të shkruajnë në letra e mos t’i nxjerrin askujt punë.
Muret e Bibliotekës nuk janë pllakate për parulla, as për të shprehur emocione, dashuri, nervoz, xhelozi, revoltë e ku di tjetër. Biblioteka është pronë publike. Është thënë se është një ndër, e unë kam bindjen se është institucioni më i vizituar kombëtar në Kosovë, ndoshta për arsye se ndodhet në qendër të kryeqytetit, ndoshta për arsye të arkitekturës së saj, ndoshta për arsye se bëhen shumë përurime në të dhe të llojllojshme, ndoshta për arsye se njerëzit e duan librin, ndoshta edhe për shumë arsye të tjera.
Vizitorët vendorë dhe të huaj, vite më parë, sa herë që vinin, pyesnin: A po i shihni shkrimet e mbishkrimet në muret e Bibliotekës? Pse nuk i fshini? Ata që e dinin shqipen, thoshin: ka prej tyre që janë të turpshme.
I shihnin dhe i shihnim, por i mbyllnin dhe i mbyllnim sytë, e veshët i mbanim hapur. Disa shkrime e mbishkrime kanë qenë të pista (ka pasur në mure vizatime edhe të organeve gjenitale (s’i publikova fotot), edhe shprehje të zhargonit të shkujdesur (shih foton e parë), edhe fjalë ofenduese, edhe disa vizatime të përçudshme). Të gjitha ato që deri pardje i keni parë, nuk do t’i shihni më.
Imazhi i keq, i lënë në harresë, u ndreq”, ka shkruar Armagedoni.