FSK-ja dhuron 50 kontejnerë për Federatën e Futbollit të Kosovës
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka dhuruar një donacion prej 50 kontejnerësh për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe FFK-së.
Sipas një njoftimi zyrtar, kontejnerët do të shfrytëzohen për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës sportive për të rinjtë në mbarë vendin.
FSK-ja bëri të ditur se ky kontribut synon të mbështesë zhvillimin e sportit, krijimin e hapësirave më të mira për aktivitete sportive dhe zgjerimin e mundësive për gjeneratat e reja, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Në realizimin e projektit po kontribuon edhe KFOR-i, i cili ka siguruar transportin e kontejnerëve drejt lokacioneve të përcaktuara nga Federata e Futbollit e Kosovës.
“FSK-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e rinisë, sportit dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ky donacion pritet të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit dhe aktiviteteve sportive në vend.



