FSK-ja drejt përfshirjes në mision ndërkombëtar në Gaza, zhvillohet takim koordinues me komandën amerikane
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka realizuar video konferencë me komandantin e forcës ndërkombëtare stabilizuese (International Stabilization Force), gjeneralmajor Jasper Jeffers III nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të bërë koordinimet e nevojshme për dislokimin e FSK-së në rripin e Gazës.
Me këtë rast gjeneral Jashari falënderoi gjeneralin Jeffers dhe përmes tij ushtrinë e ShBA-së, për ftesën drejtuar FSK-së për të marrë pjesë në këtë operacion ndërkombëtar në rripin e Gazës.
Gjithashtu Komandanti i FSK-së, konfirmoi gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje në këtë operacion ndërkombëtar me një kontingjent, duke theksuar që FSK-ja është ushtri profesionale, e trajnuar me standarde të NATO-s dhe e gatshme të eksportoi siguri kurdo që një gjë e tillë kërkohet nga ushtritë e shteteve partnere, e në këtë rast të ShBA-së.
Në fund të takimit, gjenerali Jeffers III falënderoi gjeneral Jasharin për gatishmërinë e FSK-së për të ofruar siguri në lindjen e mesme duke qenë partner serioz dhe promovuese e paqes dhe stabilitetit në botë.



