FSK-ja nuk duhet të bëhet pjesë e dialogut

13 korrik 2018 | 15:33

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se nuk është problem largimi i serbëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK-ja), por mundësia e Serbisë për të ndikuar në institucionet e sigurisë së Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka paralajmëruar se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në Policinë e Kosovës. Selimi ka bërë thirrje të mos lejohet që FSK-ja të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se dialogu po vazhdon dhunshëm dhe kundër interesave të Kosovës. Sipas Selimit, dialogu me këtë format dhe me këta persona nuk duhet të vazhdojë. Ai ka folur edhe për funksionimin e koalicionit qeverisës, duke thënë se ky koalicion tashmë ka humbur shumicën, prandaj sa më parë duhet të shkohet në zgjedhje. Selimi ka theksuar se zgjedhjet janë e vetmja mundësi për të dalë nga kjo situatë

“Epoka e re”: Z. Selimi sa janë shqetësuese largimet e pjesëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK-ja)?
Selimi: Largimi i pjesëtarëve serbë nga FSK-ja është shqetësues, por nuk është problemi kryesor. Problemi kryesor është mundësia e Serbisë për të ndikuar në institucionet e Kosovës, në këtë rast në institucionet e sigurisë siç është FSK-ja. Është proklamuar në vazhdimësi si arritje e madhe integrimi i serbëve në FSK, mirëpo me një urdhër të Vuçiqit çështja kthehet në pikën zero. Prandaj një mund i madh paska qenë në dorë të Serbisë, ashtu siç është edhe themelimi i ushtrisë së Kosovës nëse u referohemi të drejtave që ata kanë në Kuvend përmes Listës Serbe.

“Epoka e re”: Kjo situatë prodhon efekt negativ në procesin e transformimit të FSK-së?
Selimi: Gjithsesi do të ketë për arsyen se kemi qenë në pritje të hapave konkretë të institucioneve të Kosovës për avancimin e rolit të FSK-së në Forca të Armatosura dhe prej që ka filluar ky problem askush nuk flet e nuk angazhohet më për avancimin, por për rikthimin në gjendjen e mëparshme. Kjo krijon situatë të pafavorshme të Kosovës edhe me partnerët strategjikë të cilët punuan shumë që FSK-ja të ngrihet në këtë nivel që është sot si një platformë për të shkuar drejt ushtrisë. Kemi bërë regres në këtë temë dhe tani flitet për 40 serbë dhe jo për qëllimet e objektivat që do të duhej të kishte Qeveria e Kosovës për Forcat e Armatosura.

“Epoka e re”: Kjo ndërhyrje e Beogradit ka për qëllim që FSK-ja të bëhet pjesë e dialogut?
Selimi: Ne do të pësojmë nëse FSK-ja shkon në tavolinën e dialogut. Prandaj nuk duhet të lejojmë që FSK-ja të bëhet pjesë e dialogut. Sot Serbia në tavolinë është duke e diskutuar sovranitetin e Republikës së Kosovës për ta pamundësuar atë dhe jo për ta avancuar. Edhe funksionimin e drejtësisë dhe të institucioneve i ka në tavolinë për t’i penguar. Kurdo që ta ketë FSK-në në tavolinë do ta asgjësojë apo, siç thonë, do ta pamundësojnë që Kosova të ketë ushtri. Problemi do të jetë më i madh nëse lejohet që negociatorët ta kenë në tavolinë çështjen e ushtrisë sepse atëherë ka të bëjë drejtpërdrejt me siguri dhe me garantuesin e sovranitetit. Nëse diskutohet garantuesi i sovranitetit siç është ushtria, atëherë diskutohet edhe sovraniteti.  Për FSK-në dhe për Kosovën ne duhet të flasim me përkrahësit dhe jo me kundërshtarët. Sa herë që flasim me Serbinë për çështje të brendshme, pëson Kosova dhe jo Serbia.

 “Epoka e re”: Si duhet të veprojë Kosova për ta pamundësuar shkuarjen e ushtrisë në bisedime
Selimi: Duhet ta vazhdojë rrugën në partneritet me aleatët strategjikë sepse në këtë formë kemi ardhur deri këtu. Duhet një përkushtim maksimal për respektimin e Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës.

 “Epoka e re”: Drejtuesit e FSK-së kanë bërë me dije se nuk do të jetë problem zëvendësimi i pjesëtarëve serbë si dhe këto largime nuk do të kenë efekt në procesin e transformimit.
Selimi: Edhe unë them se nuk është problem zëvendësimi i tyre, por është mundësia e Serbisë për t’i larguar edhe të tjerët. Nëse Serbia sot ka mundësi që me një urdhër t’i largojë, nesër mund të japë urdhër për rebelim.

 “Epoka e re”: Ka rrezik që e njëjta të ndodhë në Policinë e Kosovës?
Selimi: Po, e njëjta gjendje ka rrezik të përsëritet edhe në Policinë e Kosovës. Madje bëhet më lehtë për shkak se ka një regjion të caktuar të policisë (veriu) që nuk duket se ka lojalitet praktik ndaj institucioneve të Kosovës, dhe këtë lojalitet jo rrallëherë e shpreh ndaj institucioneve të Serbisë, aq më tepër në përputhje me marrëveshjen e prillit të vitit 2013, ku atje është komandanti serb i cili mund të japë urdhra, prandaj më rrezik është te policia sesa te ushtria.

“Epoka e re”: Pas këtyre ndërhyrjeve dhe pengesave, duhet të vazhdojë dialogu?
Selimi: Dialogu po vazhdon dhunshëm dhe kundër interesave të Kosovës. Dialogu në këtë nivel dhe drejtim i konvenon vetëm Serbisë. Çështjet që trajtohen në dialog janë të dizajnuara dhe të sponsorizuara nga Beogradi. Janë kërkesat e Beogradit që, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të diskutohet për, siç i quajnë ata, raporte normale që, në fakt, nuk janë të tilla sepse nuk krijohen kështu raportet normale. Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi ka qenë kundër këtij dialog dhe, për fat të keq, nuk na ka demantuar koha sepse ato që kemi paralajmëruar se do t’i prodhojë dialogu, tashmë i ka prodhuar. Ata që dëshirojnë ta mbrojnë dialogun thonë se është e domosdoshme dhe nuk kemi qare pa folur me Serbinë, por ne mendojmë se ka qare dhe me Serbinë nuk duhet të flitet për ndërtimin e brendshëm të Kosovës. Nuk duhet të flitet me armikun më të madh për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ky është gabimi në hapa. Vetëvendosja është në rrugën e njëjtë dhe nuk do të ndryshojë mendim as qasje ndaj këtij procesi. Dialogun e kundërshtojmë për ta mbrojtur interesin e Kosovës.  Nga dialogu do të shpëtonim vetëm nëse do të ndërpritej një ditë e më parë.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej kundërshtimit opozitar, dialogu po vazhdon dhe po bëhet thirrje nga faktori ndërkombëtar për arritjen e një konsensusi për fazën finale të tij.
Selimi: Dialogu po vazhdon dhunshëm pavarësisht prej kundërshtimeve të opozitës dhe opinionit. Me dhunë po mbahet gjallë dialogu i Thaçit me Vuçiqin, po e quaj kështu sepse Thaçi nuk po i mbron interesat e Kosovës dhe të qytetarëve. Relacioni i Thaçit me Serbinë vazhdon të jetë problemi kryesor. Sa iu përket thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për konsensus janë normale sepse parimet ndërkombëtare i kanë në fjalorin e vet fjalët pozitive dialog, konsensus, e marrëveshje meqë ata nuk thërrasin për luftë e ekzistencë. Mirëpo ne duhet ta respektojmë Kushtetutën e Kosovës dhe kjo do të duhej të ishte detyra jonë primare.

“Epoka e re”: Nuk mendoni se do të ishte më mirë të arrihet konsensusi dhe të formohej ekipi nga të gjitha partitë i cili do t’i përcaktonte vijat e kuqe dhe Thaçi ta drejtonte dialogun sipas agjendës së këtij ekipi?
Selimi: Dialogu me këtë format dhe me këta persona nuk duhet të vazhdojë. Kosova nuk ka nevojë të flasë me Serbinë për serbët e Kosovës. Duhet ta zhvendosim dialogun mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve legjitimë të serbëve të Kosovës dhe jo me marionetën e Serbisë siç është Lista Serbe apo edhe drejtpërdrejt me Serbinë siç është Vuçiqi. Ne kemi alternativë dhe nëse duam t’i integrojmë serbët e Kosovës, duhet të flasim me ata dhe jo me Beogradin. Në rastin konkret është përjashtuar faktori politik serb i Kosovës dhe është faktorizuar faktori politik i Beogradit në Kosovë. Ky është sulmi më i madh që i ka ndodhur ndonjëherë pavarësisë së Kosovës.  Çdo marrëveshje e arritur do të jetë jolegjitime dhe e papranueshme. Nuk do t’i falet kujtdo që merr vendime në dëm të interesave të shtetit të Kosovës.

“Epoka e re”: Pse ju si opozitë nuk po dilni me një alternativë konkrete për udhëheqjen e dialogut
Selimi: Ne kemi dalë me alternativë dhe alternativa jonë është të mos flasim me Serbinë, por me serbët e Kosovës. Të mos flasim me kundërshtarët, por me partnerët e pavarësisë. Nuk është problem vetëm personi, por edhe formati dhe segmenti i dialogut. Nuk kemi nevojë ta zëvendësojmë Thaçin në të njëjtin kurs sepse njëherë duhet ta ndryshojmë kursin, pastaj personin.

“Epoka e re”: Presidenti Thaçi ka shprehur optimizëm se ky dialog do të përfundojë me një marrëveshje e cila i mundëson Kosovës pranimin në NATO, BE dhe OKB.
Selimi: Të gjitha janë gënjeshtra. Ky është kamuflim i mashtrimeve që bën ai para vendimeve të këqija. Zaten ai ka paralajmëruar se do të ketë vendime të këqija. Epilogu i këtij dialogu do të jetë realizim i interesave të Serbisë në Kosovë. Kosova nuk do të duhej ta kishte në varësi raportin me Serbinë për anëtarësim në BE sepse nuk bënë kështu shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia e që sot janë anëtare të BE-së. Nëse e kemi varësinë e anëtarësimit në OKB nga Serbia, atëherë kjo nënkupton se edhe në të ardhmen do të jemi të varur nga ajo.

 “Epoka e re”: Mund të korrigjohen gabimet meqë marrëveshjet e arritura kërkojnë aprovimin e Kuvendit?
Selimi: Kuvendi është anashkaluar, po anashkalohet dhe do të anashkalohet edhe më tutje. Edhe nëse nuk anashkalohet e dimë nga e kaluara se si presioni i faktorëve të ndryshëm ka bërë që të merren vendime të rënda.

“Epoka e re”: Për ta ndalë dialogun është e vetmja mënyrë shkarkimi i presidentit?
Selimi:  Presidenti në radhë të parë do të duhej të përgjigjej para gjykatës për dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës, njëkohësisht t’i pamundësohet shkaktimi i dëmeve të tjera. Aleanca në mes të këqijve po duket të jetë goxha e qëndrueshme. Vetëvendosja as nuk e ka votuar dhe as nuk po e mban president Thaçin. Dihet kush e ka votuar dhe kush po e mban president. Për ne qysh nesër do të duhej të shkarkohej presidenti dhe të jepte përgjegjësi për atë që i ka bërë Kosovës duke shkelur Kushtetutën nga pozicioni i kryeministrit dhe i presidentit.

“Epoka e re”: Z. Selimi, si e komentoni funksionimin e koalicionit qeverisës dhe si opozitë a e keni në agjendë ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë?
Selimi: Qeveria e Kosovës po vazhdon të jetë Qeveri e pakicës në Kuvend. Ajo përfaqësohet nga pakica jo vetëm për shkak të largimit të deputetëve serbë, por edhe të rrethanave të tjera. Mazhoranca nuk është e gatshme t’i kalojë projektligjet për të cilat kërkohet shumica e thjeshtë e votave. Kjo do të duhej të mjaftonte që të shkohet në zgjedhje menjëherë. Prandaj menjëherë kjo Qeveri do të duhej të shkonte në dorëheqje, Kuvendi të shpërndahej dhe sa më shpejt të kemi zgjedhje. Vetëvendosja është e gatshme qysh sot ta ketë datën e zgjedhjeve si e vetmja mundësi për të dalë nga kjo situatë.

“Epoka e re”: Pse Vetëvendosja nuk po e inicion mocionin për rrëzimin e Qeverisë?
Selimi: Nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga të tjerët. Prandaj do të duhej të koordinoheshim me të tjerët, mirëpo duket që gatishmërinë e tyre nuk e kanë në nivel tash për tash.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kim Kardashian ka shfrytëzuar një plazh të qetë në Los…