FSK-ja përmbyll me sukses pjesëmarrjen në operacionin ushtarak në Britani të Madhe

23 qershor 2026 | 15:11

Kosova ka qenë pjesëmarrëse në operacionin “Interflex” në mbështetje të Ukrainës që nga fillimi i vitit 2024, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi, përkushtimi dhe aftësish ushtarake.

Në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është thënë se kontributi i pjesëtarëve të saj është vlerësuar lart nga partnerët ndërkombëtarë, duke forcuar më tej reputacionin e Kosovës si kontribuuese e besueshme në operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe në përpjekjet për paqe e stabilitet.

Sipas njoftimit të FSK-së, operacioni “Interflex” është një iniciativë shumëkombëshe e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, që ka për qëllim përgatitjen dhe trajnimin e forcave ushtarake ukrainase, me synim rritjen e kapaciteteve të tyre operacionale dhe gatishmërisë për mbrojtjen e vendit.

“Që nga fillimi i angazhimit në këtë operacion, Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë me pesë kontingjente të njëpasnjëshme, duke kontribuar me instruktorë dhe personel të specializuar në realizimin e programeve të trajnimit për ushtarakët ukrainas. Përmes këtij angazhimi, FSK-ja ka dëshmuar ndërveprueshmëri të lartë me forcat partnere dhe aftësi profesionale në mjedise shumëkombëshe”, ka njoftuar FSK-ja.

Përveç pjesëmarrjes në kuadër të operacionit “Interflex”, Kosova ka vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës edhe përmes pjesëmarrjes në konferenca dhe forume ndërkombëtare për koordinimin e ndihmës, si dhe përmes ofrimit të ndihmës konkrete në pajisje dhe donacione për Forcat e Armatosura të Ukrainës.

“Këto veprime pasqyrojnë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike, respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe solidaritetit me popullin ukrainas në përballje me agresionin ushtarak, duke e pozicionuar Kosovën si partnere aktive dhe të përgjegjshme në përpjekjet e përbashkëta për siguri dhe stabilitet në Evropë”, ka njoftuar FSK-ja.

Në përfundim të operacionit “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar është organizuar një ceremoni përmbyllëse, ku janë ndarë çmime dhe mirënjohje për punën, përkushtimin dhe kontributin e pjesëtarëve të FSK-së gjatë realizimit të misionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori…