FSK-ja po braktiset, vetëm gjatë muajit janar mbi 30 ushtarë kanë kërkuar demobilizim

26 janar 2024 | 14:27

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po përballet me një trend frikësues të largimit të pjesëtarëve të saj. Vetëm gjatë muajit të parë të vitit, dhjetëra ushtarë kanë kërkuar që të largohen nga kjo forcë.

“Nacionale” ka siguruar nëntë kërkesa të ushtarëve që e kanë kërkuar demobilizimin vullnetar.

Kërkesat në fjalë janë nënshkruar në pjesën e dytë të muajit janar.

Për braktisjen e uniformës, pjesëtarët e FSK-së kanë përmendur arsye të ndryshme. Disa nga ta, në kërkesat për demobilizim, kanë bërë me dije se punën e ushtarit po e lënë për t`u bërë pjesë e Policisë së Kosovës, ndërsa disa të tjerë kanë treguar se nga ushtria po largohen për shkak të kushteve jo të mira.

Me qëllim të ruajtjes së privatësisë së atyre që kanë vendosur ta lënë FSK-në, gazeta Nacionale ka vendosur që kërkesat për demobilizim t’i publikojë me disa kufizime.

Ministria e Mbrojtjes nuk ka dashur ta komentojë këtë fenomen. “Nacionale” të enjten ka dërguar pyetje në këtë ministri për ta kuptuar numrin e saktë të ushtarëve që kanë kërkuar të largohen nga FSK-ja, por deri në momentin e publikimit të shkrimin, Ministria nuk ka kthyer përgjigje.

Burimet e gazetës brenda kësaj ministrie kanë treguar se gjendja është më alarmante.

Një burim i mirinformuar brenda Ministri së Mbrojtjes, i ka thënë gazetës se numri i atyre që kanë kërkuar të largohet nga FSK-ja është mbi 30.

“Deri me tani, mbi 30 ushtarë e kanë kërkuar largimin nga FSK-ja, duke i dorëzuar kërkesat për demobilizim vullnetar”, ka thënë ky burim.

Javën e kaluar, edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila është kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, e shprehu brengën e saj për largimin e ushtarëve nga FSK-ja.

“Sot, kur po flas në këtë foltore, për 17 ditë që kanë kaluar të këtij viti, mbi 20 ushtarë të FSK-së janë demobilizuar. Dhe numri është në rritje çdo ditë, e këta dalin e flasin për aeroplanë, helikopterë, gjoja se janë duke e bërë namin”, kishte thënë ajo në adresimin e saj para deputetëve.

Edhe gjatë vitit të kaluar, FSK-ja është ballafaquar me fenomenin e largimit të ushtarëve.

Në fund të vitit 2023, “Nacionale” e kishte botuar kërkesën për demobilizim vullnetar të një ushtari, i cili tregonte se ai po jepte dorëheqje për arsye financiare.

“Kërkoj të demobilizohem për arsye financiare, rroga të cilën e marrë nuk mi ka mbuluar shpenzimet të cilat i kam pasur obligim për me e mbajtur familjen. Jam i detyruar me gjetë të ardhura më shumë”, kishte shkruar ushtari në kërkesën për demobilizim.

Gjithashtu është raportuar edhe gjatë vitit 2022 për braktisje të uniformës nga ushtarët e FSK-së.

Në disa raste, edhe vetë Ministria e Mbrojtjes ka treguar se vazhdimisht ka largime vullnetare të ushtarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka urdhëruar të premten armëpushim…