FSK-ja publikon pamje nga kërkimet ku u gjet trupi i pajetë i 55-vjeçares në “Lumbardh”
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka publikuar pamje nga aksioni i kërkim-shpëtimit të zhvilluar në lumin “Lumbardh të Deçanit”, ku u gjet trupi i pajetë i 55-vjeçares Shyhrete Pajaziti, e cila ishte zhdukur disa ditë më parë.
Sipas njoftimit të FSK-së, ekipet e Kërkim-Shpëtimit Ujor të Gardës Kombëtare kanë vepruar në koordinim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet lokale, pas kërkesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Kosovës dhe me urdhër të komandantit të FSK-së.
“Pas kërkimeve intensive, ekipet e Kërkim-Shpëtimit Ujor të FSK-së kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të personit me inicialet Sh.P. Pas evakuimit të viktimës, trupi i pajetë iu dorëzua Mjekësisë Ligjore dhe Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejme”, ka njoftuar FSK-ja.




