FSK-ja shpall fituesit e garave sportive për nder të ‘Ditës së Forcës’
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se ka përmbyllur me sukses garat tradicionale sportive të organizuara në kuadër të aktiviteteve për shënimin e “Ditës së Forcës”.
Ceremonia përmbyllëse është zhvilluar të hënën në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku janë shpallur fituesit e të gjitha disiplinave.
Siç ka njoftuar FSK-ja, para fillimit të ceremonisë u realizuan edhe takimet finale të garave, për të vazhduar më pas me ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve.
Në këtë ceremoni i pranishëm ishte zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjeneralmajor Enver Cikaqi, si dhe oficerë e nënoficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Vendi i parë në futboll i takoi ekipit të KDS-së, në disiplinën e volejbollit vendin e parë e fitoi Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë , në Shah më i miri u zgjodh OF1 Arsim Kelmendi, ndërsa në Kros në kategorinë e femrave vendin e parë e mori Ushtar i Klasit të Parë Edona Guri nga KDS, ndërsa në kategorinë e meshkujve vendi i parë i takoi Ushtar i Klasit të Parë, Leon Thaçi nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë”, ka njoftuar FSK-ja
Ky aktivitet kishte për qëllim, promovimin e shëndetit fizik, frymës sportive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet pjesëtarëve të FSK-së.



