FSK-ja validon me sukses Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë në Ushtrimin Fushor “Ujku i Shigjetë”
Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka realizuar Ditën e Vizitorëve të Shquar të ushtrimit fushor “Ujku Shigjetë” si proces përmbyllës i një angazhimi të gjatë në validimin e Regjimentit të tretë të Këmbësorisë.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në këtë ushtrim priti ministrin e Mbrojtjes në detyrë Ejup Maqedonci, përfaqësues nga Ambasadat e akredituara në vend, përfaqësues nga KFOR-i, Atashe të Mbrojtjes dhe përfaqësues ushtarak nga vendet partnere.
Fillimisht, gjeneral Jashari njoftoi të pranishmit mbi të arriturat e FSK-së në përgjithësi dhe në veçanti mbi fazat në të cilat ka kaluar Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë për të arritur deri tek validimi bazuar në misionin ushtarak në kuadër të Komandës së Forcave Tokësore.
Validimi i njësive është një proces i gjatë i planifikimit, trajnimit, stërvitjes së personelit dhe mbështetjes logjistike me qëllim të realizimit të detyrave në përmbushje të misionit.
Pastaj njësitë e dislokuara në terren në kuadër të Ushtrimit Fushor “Ujku i Shigjetë” bënë demonstrimin e operacioneve mbrojtëse, operacioneve sulmuese dhe kulmuan me operacionet e stabilitetit.
Forca e Sigurisë së Kosovës duke u bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, është duke ngritur kapacitetet operacionale të njësive, bazuar në misionin e tyre. Andaj në kuadër të këtij ushtrimi është validuar Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë.



