FSK në veri/ Quni: S’ka vend për mburrje në tragjedi – po veprohet sipas marrëveshjes së vitit 2013

29 korrik 2025 | 20:45

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, njëherësh ish ministër i mbrojtjes, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se angazhimi i FSK-së në veri është rregulluar në marrëveshjen e vitit 2013 dhe për dislokim atje duhet autorizim nga KFOR-i.

“Angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të Kosovës është një çështje komplekse dhe delikate, e rregulluar nga një marrëveshje e vitit 2013 midis NATO-s (nëpërmjet KFOR-it) dhe Kosovës. Sipas kësaj marrëveshjeje, çdo dislokim i FSK-së në veri të Kosovës kërkon autorizim paraprak nga komandanti i KFOR-it”, thotë ai.

Sipas Qunit, angazhimi specifik në veri mbetet nën mbikëqyrje të KFOR-it, edhe pse FSK ka mandat të gjerë.

“Kjo marrëveshje është bërë me qëllim të garantimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon, duke shmangur tensionet e mundshme. Edhe pse FSK-ja ka një mandat të gjerë, përfshirë mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ky angazhim specifik në veri mbetet nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e KFOR-it”, ka theksuar deputeti për Blic.

Quni u shpreh i bindur në përmbushjen e detyrës nga FSK, teksa shton se pret që institucionet të ndërmarrin masa për parandalim të rasteve të tilla tragjike.

“Nga institucionet përgjegjëse presim që t’i ndërmarrin të gjitha masat e sigurisë për të parandaluar rastet tragjike të kësaj natyre”, shtoi ai.

Krejt në fund, deputeti i LDK-së, theksoi se për tragjedi të tilla s’ka vend për mburrje e as përvetësime partiake.

“Krejt në fund, nuk ka vend për mburrje dhe përvetësime partiake në tragjedi të tilla e aq më shumë kur FSK-ja po vepron sipas zotimeve të arritura në vitin 2013”, deklaroi deputeti Anton Quni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trupi i pajetë i 33-vjeçarit që u zhduk disa ditë…