FSK, realizohet kursi për rreshtermajor “Gjenerata 03-2026”
Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u mbajt ceremonia e përfundimit të Kursit për Rreshtermajor “Gjenerata 03-2026”.
Ky kurs përfaqëson një nivel të avancuar të zhvillimit profesional për nënoficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe synon përgatitjen e tyre për marrjen e përgjegjësive më të larta brenda strukturës së lidershipit të trupës së nënoficerëve.
Kursantët kanë kaluar nëpër një program të strukturuar arsimor dhe profesional, i cili është realizuar përmes Modulit të Studimeve Profesionale, Modulit të Udhëheqjes, Modulit të Menaxhimit të Forcës, si dhe Modulit të Operacioneve Ushtarake dhe Operacioneve të Përbashkëta Ndërinstitucionale.
Përmes këtij programi, kursantët kanë thelluar njohuritë e tyre profesionale, kanë zhvilluar më tej aftësitë e lidershipit dhe kanë avancuar kapacitetet e tyre për të përkrahur komandantët e tyre në proceset e planifikimit, menaxhimit dhe realizimit të detyrave brenda strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përfundimi me sukses i këtij kursi shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të pjesëtarëve të Gjeneratës 03-2026, të cilët nga sot pritet të kontribuojnë edhe më shumë në forcimin e trupës së nënoficerëve, në rritjen e standardeve profesionale dhe në avancimin e kapaciteteve institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.



