FSK-së i bashkohen 311 ushtarë të rinj, Mehaj: Në ADN-në tuaj është UÇK-ja dhe Adem Jashari

11 nëntor 2022 | 11:19

Të premten është mbajtur ceremonia e certifikimit të 311 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo ceremoni është mbajtur në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kërkuar  nga ushtarët e rinj të FSK-së të mos harrojnë se në ADN-në e tyre është Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe ajo e komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Nuk mund të ecim përpara nëse nuk nderojmë të kaluarën, historia jonë na ka bërë kjo që jemi sot dhe për atdhe derdhim gjak dhe lot, atdheu është pasuria jonë më e madhe për të jetojmë dhe për të vdesim”.

“Ushtarë të dashur gjatë shërbimit tuaj brenda dhe jashtë vendit ecni gjithmonë me kokën lartë sepse ushtria jonë nuk ka luftuar kurrë për të pushtuar territore të huaja por ka mbrojtur me shpirt territorin e vet. Dijeni se në AND-në tuaj keni Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, keni ADN-në e komandantit legjendar, Adem Jashari”.

“Ushtria e Adem Jasharit nuk dorëzohet, nuk kthehet mbrapa dhe është e pathyeshme. Dy Adema na udhëheqin neve, Adem Jashari e Adem Demaci njëri në aspektin politik e tjetri në aspektin ushtarak”, ka thënë Mehaj, raporton “EO”.

Ndërsa Sanije Ismaili, ka thënë se ndihet e lumtur që do t’i shërbejë atdheut.

“Kam shumë emocione dhe më në fund e realizova ëndrrën time. Unë jam e gatshme të japë kontributin tim dhe t’i shërbej atdheut”, ka thënë Ismaili.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka njoftuar se…