FSS thotë se nuk do të shiten bileta për ndeshjen ndaj Shqipërisë

03 tetor 2025 | 22:29

Federata e Futbollit e Serbisë e ka lëshuar një komunikatë zyrtare, ku ka bërë me dije se nuk do të ketë bileta në shitje për ndeshjen ndaj Shqipërisë.

Kjo ndeshje do të luhet më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” në Leskovc. FSS ka bërë me dije se ky veprim vjen si parandalim i problemeve potenciale, të cilat mund ta ‘dëmtojnë’ federatën dhe kombëtaren serbe.

Kjo ndeshje është e cilësuar si përballje e rrezikut të lartë, andaj fillimisht takimi ishte zhvendosur nga Beogradi në Leskovc.

“Në përputhje me vlerësimin e FIFA-s, udhëzimet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë, konsultimet me UEFA-n dhe, mbi të gjitha, përvojën e keqe nga ndeshja e mëparshme që u ndërpre në vitin 2014, kur ekipi ynë u la administrativisht pa një vend në një kompeticion të madh, Komiteti i Emergjencës i FSS ka vendosur që nuk do të ketë bileta në shitje për ndeshjen e ardhshme midis Serbisë dhe Shqipërisë, e cila do të luhet më 11 tetor në stadiumin “Duboçica” në Leskovac.

Pjesëmarrja në tribunë do të sigurohet përmes shpërndarjes së biletave në komunitetin e futbollit, përmes federatave rajonale, klubeve, nxënësve të shkollave të futbollit dhe prindërve të tyre, organizatave profesionale dhe amatore të futbollit, sponsorëve zyrtarë dhe mysafirëve të FSS-së, përfaqësuesve të mediave të akredituara, si dhe ekipeve mjekësore dhe të tjera të nevojshme për zhvillimin e ndeshjes.

Hyrja në stadium do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara dhe me dokument identifikimi (letërnjoftim ose pasaportë), si dhe me kontrolle të rrepta sigurie në hyrje, në përputhje të plotë me standardet më të larta të sigurisë.

Kujtojmë publikun se në tetor të vitit 2014, ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd u ndërpre, gjë që solli pasoja serioze për ekipin tonë kombëtar, përfshirë humbjen e vendit në Kampionatin Evropian 2016 në Francë.

Pikërisht për këtë arsye, Federata e Futbollit e Serbisë, bashkë me UEFA-n, FIFA-n dhe të gjitha institucionet kompetente, po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar maksimumin e sigurisë dhe zhvillimin e rregullt të ndeshjes.

Kujtojmë se ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë është shpallur si një ndeshje me rrezik maksimal sigurie nga të gjitha institucionet përkatëse – FIFA, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë dhe Federata e Futbollit e Serbisë. Veçanërisht për këtë rast, FIFA do të dërgojë dy oficerë sigurie në Leskovac, dhe nuk do të ketë tifozë vizitorë në tribunë, në përputhje me udhëzimet e sigurisë dhe për të ruajtur rendin dhe sigurinë për të gjithë pjesëmarrësit në ngjarje.

Federata e Futbollit e Serbisë bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit që të kontribuojnë në krijimin e një ambienti të drejtë dhe sportiv përmes sjelljes së tyre, në mënyrë që ekipi kombëtar i Serbisë të ketë kushtet për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm në fushë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga federata serbe.

Shqipëria dhe Serbia tashmë veçse e kanë zhvilluar një përballje në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026, me ndeshjen që ishte mbyllur pa gola në Tiranë më 7 qershor.

Teksa, më herët kishin luajtur dy ndeshje në kuadër të kualifikimeve për EURO 2016, ku Shqipëria arkëtoi tri pikë pas rastit të dërguar në CAS – pas ngjarjes së 14 tetorit 2024. Ndërsa, ndeshjen e dytë e kishte fituar Serbia në Elbasan.

Shqipëria dhe Serbia do të bashkëorganizojnë kampionatin evropian të U21, i cili do të mbahet në vitin 2027.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Thellë poshtë Maleve Shkëmbore të Kolorados, ndodhet një bunker…