
FT: Trumpi i ka kërkuar Zelenskyt ta sulmojë Moskën dhe Shën Petersburgun
“Financial Times (FT)” ka dalë të martën me një raportim të ri dhe shumë interesant, në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë dhe qëndrimin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas medias prestigjioze britanike, presidenti Trump e ka inkurajuar liderin ukrainas, Volodomyr Zelenskyy që të marrë në konsideratë sulme më të thella brenda territorit rus, përfshirë kryeqytetin Moskë dhe qytetin strategjik Shën Petersburg. Duke cituar “persona të informuar për diskutimet” dhe një telefonatë mes liderëve më 4 korrik, “FT” ka shkruar se Trumpi i ka thënë Zelenskyt: “A mund të godasësh Moskën?… A mund të godasësh edhe Shën Petersburgun?”
Ndërkohë, sipas raportimit, Zelensky i është përgjigjur: “Absolutisht. Mundemi, nëse na jepni armët”.
Këto detaje bien në kundërshtim të fortë me deklaratat e mëparshme të Trump mbi luftën në Ukrainë, kur dihet se gjatë fushatës së tij, ai është zotuar të “mbyllë konfliktet jashtë vendit” dhe ka kritikuar përfshirjen e ShBA-së në luftën kundër Rusisë.
Megjithatë, kujtojmë se një ditë më parë, Trumpi ka realizuar një marrëveshje me NATO-n për Ukrainën, ku u vendos dërgimi i armëve të SHBA-së, të financuara nga BE, në ndihmë të saj.