Ftesa e Trumpi, Haradinaj: Lajm i mirë, përforcon rolin e Kosovës si faktor konstruktiv i paqes në rajon

21 janar 2026 | 16:02

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar lajm të mirë ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump drejtuar presidentes Vjosa Osmani për të marrë pjesë në Bordin e Paqes.

Haradinaj ka thënë se kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global.

“Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit’’, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Është lajm i mirë ftesa e presidentit Trump drejtuar presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale. Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump, është një dritare shprese për ne.

Kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me ShBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka folur në Forumin Ekonomik Botëror…