‘Fundi i muajit, 700 punëtorë pa paga’, Sindikata e RTK-së: Protesta e 6 gushtit është e pashmangshme

31 korrik 2025 | 13:44

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, ka thënë se mbi 700 punëtorë të mediumit publik kanë mbetur pa paga, duke shprehur shqetësim rreth kësaj situate. Sindikata ka vlerësuar se kjo situatë është jashtëzakonisht e rëndë dhe krejtësisht e papranueshme për ta.

Sindikata ka deklaruar se nuk mund të pranojnë që punëtorët e RTK-së të mbeten pa të ardhura ‘‘për shkak të neglizhencës institucionale’’.

‘‘Edhe njëherë u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për të gjetur një zgjidhje për situatën dhe për të garantuar pagat e punëtorëve tanë’’, është thënë në reagimin e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, duke shtuar se protesta e 6 gushtit është e pashmangshme.

Reagimi i plotë i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së:

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së shpreh shqetësimin e thellë që edhe sot, më 31 korrik, kur përfundon muaji, mediumi publik i vendit mbetet pa financim, duke lënë pa paga mbi 700 punëtorë dhe familjet e tyre.

Kjo situatë është jashtëzakonisht e rëndë dhe krejtësisht e papranueshme për Sindikatën. Ne nuk mund të pranojmë që punëtorët e RTK-së, të cilët çdo ditë mbajnë të informuar qytetarët e Republikës së Kosovës, të mbeten pa të ardhura për shkak të neglizhencës institucionale.

Edhe njëherë u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për të gjetur një zgjidhje për situatën dhe për të garantuar pagat e punëtorëve tanë.

Protesta e paralajmëruar për datën 6 gusht mbetet e pashmangshme. Ju bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të jenë të pranishëm dhe të bashkuar në këtë protestë.

Për detajet e protestës së 6 gushtit, të cilën e kemi bërë publike edhe përmes konferencës për media disa ditë më parë, shumë shpejt do t’i bëjmë publike edhe pikat e veprimit dhe detajet organizative.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut…