
Futbollistët serb vlerësojnë Shqipërinë: Kanë ekip cilësor
Për Serbinë, sfida ndaj Shqipërisë është e para në këto kualifikuese, një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme, por njëkohësisht edhe e vështirë, fakt që e pranon Nikola Stuliq, sulmuesi i cili luan në Belgjikë: “Do të jetë vështirë, por secili që del në fushën e lojës do të jap maksimumin për rezultat të mirë dhe që të sjellim tri pikë në Beograd. Është ndeshja e parë për ne. Është gjithnjë mirë që të fillojmë kualifikimet me rezultat të mirë. Shkojmë të fokusuar dhe me synim të qartë për rezultat të mirë”.
Stuliq foli me respekt për Shqipërinë, duke vlerësuar ekipin e Sylvinhos: “Ka shumë lojtarë të mirë. E kujtoj ndeshjen e tyre ndaj Italisë në Evropian dhe epërsinë e hershme. Kanë një ekip me kualitet, por nëse ne jemi të fokusuar, nëse japim gjithçka, nëse jemi të bashkuar, mund të marrim 3 pikë”.
Në radhët e Serbisë janë të qartë se në Tiranë i pret një atmosferë e zjarrtë, por ky fakt nuk ndryshon asgjë, pasi janë mësuar të luajnë në nivele të larta, me stadiume plot, pikërisht te ky detaj u ndal edhe mesfushori, Aleksandar Kati: “Na pret atmosferë e nxehtë, por ne jemi mësuar me ekipet ku kemi luajtur në Ligën e Kampionëve apo Evropa Ligë, thjesht jemi përshtatur, nuk mendoj se do të ketë ndikim, përkundrazi është me mirë se sa të luhet pa tifozë”.