
G7 refuzon të paguajë energjinë ruse me rubla
Ministri gjerman i Energjisë, ka thënë se grupi i shtatë vendeve më të industrializuara është pajtuar që të refuzojë kërkesën e Rusisë që të paguajë me rubla për energjinë ruse.
Ministri Robert Habeck u ka thënë gazetarëve të hënën se “të gjithë ministrat e G7-ës janë pajtuar se pranimi i kësaj kërkese do të ishte shkelje e kontratave ekzistuese”.
Ai ka thënë se pas një takimi online të ministrave të Energjisë të G7-s, ata u pajtuan që “pagesa me rubla nuk është e pranueshme dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha kompanive të prekura nga kërkesa [e presidentit rus, Vladimir] Putin të mos e zbatojnë atë”.
Ky njoftim vjen pasi Putini ka urdhëruar Bankën Qendrore të Rusisë, qeverinë dhe “Gazprom”-in që deri më 31 mars të prezantojnë propozimet për pagesën e gazit me rubla ruse nga “shtetet jomiqësore”, përfshirë të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.
Më 28 mars, Kremlini ka thënë se Rusia po punon për metodat e pagesave për eksporteve të saj të gazit dhe do të ndërmarrë vendime karshi vendimit të evropianëve që po refuzojnë të bëjnë pagesa me monedhën kombëtare ruse.
“Ne nuk do t’i furnizojmë falas me gaz, kjo është e qartë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ndërsa më 23 mars, Putini ka njoftuar se Rusia do të zbatonte ndryshime dhe do të ndalonte së pranuari pagesa në valutat që “janë kompromentuar”. Ky njoftim do të thotë se shtetet evropiane, që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, përfshirë edhe Britaninë, Kanadanë, Zvicrën, Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë me rubla për gazin natyral rus.
Ndërsa më 25 mars, gjatë një takimi të liderëve të BE-së, nuk pati një qëndrim të përbashkët për këtë kërkesë të Rusisë.