
“Gabim fatal” – Ymeri kritikon Kurtin për insistimin në Haxhiun: Nuk është e denjë për kryeinstitucione, Konjufca ka pasur sjellje tjetër
Analisti Visar Ymeri ka thënë se Albulena Haxhiu ka lënë “shenja” që ajo nuk bën të jetë në krye të institucioneve.
“Në sjelljen e vet politike, Albulena Haxhiu ka dhënë shenja që ajo nuk është e përshtatshme për me lanë në krye të institucionit. Kqyrne, për shembull, qysh ka vepruar në Ministrinë e Drejtësisë.”
“Unë mendoj që procesi i vetingut e ka marrë formën që e ka marrë edhe për shkak të sjelljes së Albulena Haxhiut, edhe për shkak të gjuhës së saj, e cila ka krijuar përshtypje te partnerët tanë ndërkombëtarë që vetingu është më shumë hakmarrje se sa drejtësi. E ka krijuar përshtypjen – ndoshta ky s’ka qenë qëllimi fare, ndoshta kjo s’ka qenë ideja fare – por e ka kriju këtë përshtypje, dhe Bashkimi Evropian ka qenë shumë skeptik për këtë qasje në procesin e vetingut dhe reformën e drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë ai në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Tutje, Ymeri ka thënë se kur po thotë opozita që nuk duam gjuhë konfliktuoze, nuk e kanë vetëm për vete, por e kanë edhe për shkak të dinjitetit dhe seriozitetit që e ka posti, që duhet me mbajtë, veçanërisht në situatën në të cilën jemi.
Ai ka thënë se këtë që po e kërkojnë ish-partitë opozitare e kanë me të drejtë.
“Qe, Albulena Haxhiu nuk bën”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se emri i Glauk Konjufcës është i pranueshëm, sepse ai nuk është sjellë si aktivist i partisë.
“Glauk Konjufca nuk është sjellë si aktivist i Vetëvendosjes, por është sjellë si kryetar i Kuvendit – kjo ka rëndësi”, duke shtuar se ai nuk e ka përshtypjen se Albulena Haxhiu do të sillej njëjtë si Konjufca.