Gabim i përmasave historike për Kosovën

25 mars 2020 | 11:23

Shkruan: Alketa G. Fazliu

Gjatë muajve dhe ditëve të fundit, Kosova ka vazhduar të ecë heshturazi në rrugën e një gabimi jo të vogël.
Verbërisht Kosova ka krijuar dhe normalizuar një raport distance dhe shkëputjeje nga Amerika.
Për miqtë e ngushtë, të kesh mosmarrëveshje nuk është diçka e mirë. Është gabim. Por faji më i madh është kur nuk e njeh gabimin dhe mosmarrëveshjen e quan normalitet.
E parë nga një perspektivë amerikane, largimi i Kosovës nga kursi i udhëhequr nga SHBA nuk është diçka fort dramatike: me kalimin e kohës, edhe aleatët e afërt mund të ndjekin kurse të ndryshme veprimi. Megjithatë, këmbëngulja në veprime të tilla përfundimisht do të ndajë aleatët dhe do prishë aleancën. Në fund të fundit, me përjashtim të interesave, asgjë nuk është e përjetshme në këtë botë. Në një çast të historisë së saj, Kosova e kuptoi këtë, dhe ndoqi interesin e saj aty ku interesi i Kosovës dhe ai amerikan nuk përputheshin. Kosova arriti ta bëjë këtë, atëherë kur askush nuk besonte se diçka e tillë ishte e mundur. Ajo tha, me fjalë të thjeshta, Amerikën e duam si gjithmonë, por kësaj radhe po bëjmë atë që na intereson për veten tonë.
Sigurisht, edhe pse diçka e tillë nuk përbën një humbje katastrofike, ky është sigurisht një lajm i keq për politikën e jashtme të SHBA në këtë pjesë të botës. Ky lajm duhet të ishte akoma më i keq për Kosovën, të paktën për ata që kanë sy për ta parë. Brenda pak muaj, Kosova papritmas nuk u soll më si aleatja e besueshme e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, pasi Kosova refuzoi SHBA, muajt nisën të kalojnë dhe nuk ndodhi thuajse asgjë. Jeta vazhdoi si më parë. Në Kosovë, analistët nisën të thoshin: “Në fakt, nuk ka ndodhur asgjë. Mosmarrëveshje midis aleatëve ndodhin gjatë gjithë kohës, ne gjithmonë jemi pro Amerikës, ndaj nuk ka pse të shqetësohemi”.
Gjërat do të ndryshojnë, natyrisht, dhe në një të ardhme jo aq të largët Kosova dhe SHBA do ta rigjejnë gjuhën e përbashkët. Megjithatë, fakti qëndron: në një hark kohor nga 2019 deri 2020, Kosova dhe SHBA nuk u morën vesh. Asnjë aleat strategjik nuk e detyroi Kosovën të veprojë kështu. Jo Evropa, as Gjermania, as vendet e Quint-it. Ky është një fakt. Për më tepër, ky veprim i Kosovës krijoi një precedent deri atëherë të padëgjueshëm dhe të paimagjinueshëm – që Kosova dhe Amerika MUND të ecin në drejtime të ndryshme. E pabesueshmja u bë e vërtetë – Kosova mundi t’i bëjë ballë SHBA. Kosova arriti të rezistojë ndaj një kërkese të drejtpërdrejtë të SHBA. Të thotë Jo. Për shumë kohë. Nën dy kryeministra. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga diplomatët kryesorë dhe politikanët amerikanë, dhe jo vetëm ata.

Kosova shpalli “pavarësinë” nga SHBA, kjo është e vërtetë. E bëri këtë për një arsye të vetme, të thjeshtë, sa të parëndësishme, aq edhe të tmerrshme – ajo vuri politikat partiake, llogaritjet e pushtetit të brendshëm (dhe sigurisht këshillat e këqija nga fuqitë jomiqësore ndaj ndikimit të SHBA në këtë pjesë të botës) para interesit kombëtar. Para interesit kombëtar të SHBA.
Kosova është vendi më proamerikan në Ballkan. Populli kosovar nuk do ta harrojë kurrë se si SHBA. e shpëtoi Kosovën në orën e saj të nevojës në 1999. Sidoqoftë, elitat, jo njerëzit, janë të prirur ta kenë kujtesën të shkurtër, dhe mirënjohja nuk është pika e tyre e fortë: aty ku populli i Kosovës e sheh Amerikën si shpëtimtarin dhe mbrojtësin e tij, elitat politike shohin një lojtar global, me të cilin mund të bëjnë pazare dhe të arrijnë marrëveshje.
Kështu ndodhi me tarifën e Kosovës ndaj Serbisë. SHBA haptas i kërkuan Kosovës që ta heqë atë pa kushte, tërësisht. Njëherë Kosova tha jo. Pastaj Kosova tha ndoshta më vonë. Më vonë Kosova tha se do ta konsideronte çështjen e tarifës, nëse SHBA e bëjnë këtë dhe Serbia e bën atë. Pastaj Kosova e hoqi atë pjesërisht. Në terma praktikë, Kosova ka luajtur në mënyrë të pamatur me një kërkesë të qartë nga SHBA dhe partnerët e saj ndërkombëtarë të sigurisë. Në vend që të uleshin të dëgjonin, ata që qeverisnin Kosovën krijuan precedentin e paparë ndonjëherë të shkëputjes së Kosovës nga SHBA. Këtë precedent të rrezikshëm ata e shitën si një shembull të udhëheqjes ndriçuar të kombit, e si ringjallje të sovranitetit kombëtar.
Me pak fjalë, udhëheqësit e Kosovës u krenuan se Kosova është e fortë dhe sovrane përballë vendit më të fortë në botë, kundër atij vendi që bëri të mundshëm sovranitetin e saj.
Ky nuk ishte një gabim i zakonshëm. Në fakt nuk ishte thjesht gabim. Nuk ishte diçka që bëhet sot dhe ta harrojmë nesër. Ishte një akt me pasoja historike. Nuk ka asnjë mënyrë për të fshirë aktet historike nga kujtesa ato kanë ndodhur. Megjithatë, ka shumë mënyra për të hequr vëmendjen prej tyre.

Udhëheqësit e Kosovës po bëjnë gjithçka munden për t’u fshehur nga precedenti që ka hyrë tashmë në histori. Ata nuk mund të fshijnë nga ekzistenca atë që e bënë. Sidoqoftë, ata mund të shesin interpretimin e tyre të historisë, për sa kohë që njerëzit e blejnë atë. Por çfarë po shesin ata tani? Le të përpiqemi të rendisim çfarë thotë një pjesë e elitës së Kosovës në mbrojtje të vetes, e bindur se askush nuk do ti kërkojë përgjegjësi:
Argumenti numër 1: Kosova nuk i tha Jo Amerikës, Kosova i tha Jo Presidentit Trump.
Nonsens. Ekziston vetëm një Amerikë, vetëm një President, vetëm një interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ekziston një politikë e jashtme e Shteteve të Bashkuara. Kjo politikë ishte – HIQENI tarifën. Kosova i tha jo asaj politike. Nuk ishte kështu?Argumenti numër 2: Presidenti Trump nuk e përfaqëson Amerikën. Dikush tjetër e përfaqëson SHBA.
Këtij argumenti të dytë mjafton t’i përgjigjemi duke iu referuar përgjigjes ndaj të parit.
Argumenti numër 3: Presidenti Trump ia ka shitur Kosovën Serbisë. Ndaj që Kosova duhet të rezistoj derisa Trump të mos jetë më President i SHBA. Shqiptarët në SHBA. duhet të ndihmojnë kundërshtarët e presidentit amerikan për t’u siguruar që kundërshtarët e tij ta heqin nga pushteti. Sa i përket këtij argumenti – është vërtet e dëmshme dhe e pakuptimtë që Kosova të ndërhyjë në skenën e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, një çështje me interes kombëtar amerikan. Kjo është marrëzi është besoj e kuptueshme dhe nuk ka nevojë për shpjegime të mëtejshme.
Por si erdhi Kosova këtu? Si arriti që dy kryeministra të Kosovës, njëri pas tjetrit ti thonë Jo Amerikës, madje dikush në Kosovë të bëjë thirrje që kosovarët të angazhohen për përmbysjen e Presidentit të saj?
Ekzistojnë dy arsye kryesore që i shtynë udhëheqësit e Kosovës të guxojnë të pamendueshmen – të ngrihen në këmbë kundër Amerikës – në m emër të reciprocitetit, blirisë dhe barazisë, sovranitetit, drejtësisë për të gjithë dhe rezistencës kundër imperializmit kolonial. Për t’i kuptuar këto arsye, duhet të kuptojnë tenxherja e Kosovës nxehet nga shumë zjarre.
Së pari – ndjenja e inferioritetit dhe plagët e shtypjes së zgjatur etnike, sociale dhe kombëtare. Për shekuj, Kosova ishte e dhunuar dhe e shtypur në mënyrë sistematike nga Serbia. Në sundimin serb të Kosovës, masat e dhunshme kundër shqiptarëve ndiqeshin nga periudha të gjata diskriminimi sistemik. Kujtimi i gjatë i një shtypjeje të tillë u mundësoi disa politikanëve të Kosovës të përdorin potencialin e shtypur të nevojës popullore për kompensim të drejtë. Popullit të Kosovës iu premtua fuqi dhe prestigj. Politikanët e Kosovës e përdorën të kaluarën e hidhur dhe armiqësinë e tanishme për përfitimin e tyre personal. Dhimbjet e të shkuarës ata i përdorën për të rrëmbyer pushtet të të tashmen. Në vend që të punonin për të ardhmen, ata premtuan drejtësi për të shkuarën. Në vend që të kërkonin zgjidhje, ata rizbuluan problemet. Në vend që të përpiqeshin të mos binin në grackën e Serbisë, ata punuan për ta bërë atë më të madhe e më të thellë.
Udhëheqësit e Kosovës filluan të garojnë me Serbinë – në reciprocitet. Aty ku Serbia ishte nacionaliste dhe kundërproduktive, Kosova u bë edhe më shumë. Duke pretenduar: “ne nuk jemi inferiorë ndaj serbëve”, udhëheqësit e Kosovës iu drejtuan dëshirës së shtypur për prestigj, në një vend që u dhunua, u përçmua dhe u shtyp për një kohë të gjatë.

Udhëheqësit e Kosovës pohuan se ata dëshironin të posedonin fuqinë për të “dëmtuar” Serbinë, për sa kohë që Serbia do të vazhdonte të dëmtojë Kosovën. Ata kërkuan më shumë fuqi për të siguruar më shumë prestigj, jo për veten e tyre, por për vendin e tyre, ku çdo kosovar duhet të kontribuojë për lavdinë e liderit në kurriz të perspektivës kritike. Sipas këtij rregulli, të qenit kundër Serbisë ishte mënyra më e mirë për të luftuar për Kosovën. Sapo kjo premisë u rrënjosur në mes të një numri mbështetësish politikë, kushdo që kundërshtonte masa të ashpra kundër Serbisë qëndronte kundër një Kosove të fortë. Shtetet e Bashkuara e bënë pikërisht këtë. Megjithatë, populli i Kosovës është plotësisht pro-Amerikan, si askush tjetër në botë. Për të shmangur këtë pengesë të jashtëzakonshme, ata që manipulojnë, formësojnë dhe kontrollojnë opinionin publik të Kosovës i shtynë njerëzit të besojnë se “Trump’s America” është aleate e Serbisë, ndërsa “Amerika e vërtetë” është aleate e Kosovës.
E dyta – shumësia e lojtarëve gjeostrategjikë dhe ideologjikë në Kosovë. Në Kosovë SHBA është lojtari kryesor, por nuk është i vetmi. Ky konfuzion taktik, ideologjik dhe gjeostrategjik – i vetmi që në të vërtetë po sundon sovran në Kosovë – u mundëson disa liderëve të Kosovës ta shfrytëzojnë atë, për përfitimin e tyre, dhe në dëm të popullit të Kosovës. Këta udhëheqës kosovarë përdorin ndikimet e çuditshme që vijnë nga pushteti dhe aktorët armiqësorë ndaj administratës amerikane për të krijuar bindjen se “ndërkombëtarët qëndrojnë pranë nesh”. Në një kuptim, kjo është e vërtetë. Shumë aktorë të jashtëm janë më shumë se të lumtur kur shohin se Kosova ngrihet kundër administratës Trump. Ata janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje të gjerë në drejtim të mbulimit të mediave, alokimeve financiare dhe një rrjeti të fuqishëm të kontakteve ndërkombëtare, vetëm për të parë që administrata Trump “dështon” në Kosovë. Kjo është e vërtetë. Është një botë e madhe, e keqe e në të banojnë shumë njerëz të këqij. Lajmi i mirë për popullin e Kosovës është se Amerika kurrë nuk i ka humbur nga sytë armiqtë e saj – në Kosovë dhe jashtë saj.

Etja për pushtet, e ushqyer nga nevoja për prestigj, dhe manipulimi i saj i efektshëm nga fuqitë armiqësore ndaj Amerikës e po aq armiqësore ndaj Kosovës janë dy arsyet kryesore për vendimin e Kosovës për t’u ngritur kundër vendit që është përgjegjës për lirinë e saj.
Mos ta harrojmë këtë: konfrontimi Kosovë-SHBA, i pari në llojin e tij, është hedhur tashmë në regjistrin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Diplomatët e rinj dhe strategët ushtarakë nga Yale në West Point do ta studiojnë këtë dukuri – për të kuptuar, edhe një herë, të vërtetën e thjeshtë se përplasjet dhe mosmarrëveshjet e mëdha Amerikës mund ti ndodhin edhe në mesin e aleatëve të saj më të vegjël. Ata do ta studiojnë mirë këtë gjë. Nuk ka asnjë aspekt për t’u injoruar në lidhje me këtë precedent, dhe nuk ka asnjë arsye për ta hedhur poshtë këtë realitet si diçka që nuk ka ndodhur.
Ky artikull i shkurtër u përpoq të përshkruaj me fjalë të thjeshta, mënyrën se si Kosova arriti të bëjë gabimin e saj të parë të madh që nga koha e shpalljes së pavarësisë, dhe të japë disa arsye pse këtë gabim ajo nuk pranon ta shohë akoma. Ekziston vetëm një recetë për të shmangur fatkeqësitë e mëdha në histori: një kujtesë e qartë.
Populli i Kosovës nuk duhet ta harrojë kurrë këtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Michael Ballack e ka pranuar se është penduar për largimin…