Gabimet e rënda në fushën e energjisë

18 gusht 2025 | 10:44

Shkruan: Ethem Çeku

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është një zhvillim që shumica e vendeve evropiane e kanë ndërmarrë gjatë tri dekadave të fundit. Synimi kryesor i këtij procesi ka qenë krijimi i një tregu konkurrues, rritja e efikasitetit, ulja e çmimeve në afatgjatë dhe integrimi në tregjet rajonale e ndërkombëtare të energjisë. Megjithatë, përvoja ndërkombëtare dëshmon se rezultatet kanë qenë të ndryshme, të varura nga struktura energjetike kombëtare, siguria e brendshme e furnizimit dhe mekanizmat mbrojtës që qeveritë kanë vendosur në funksion.

Përvoja ndërkombëtare

Në Bashkimin Evropian, liberalizimi nisi në vitet ’90 me direktiva të qarta që kërkonin hapjen graduale të tregut. Gjermania përfaqëson një shembull të suksesshëm, pasi liberalizimi u shoqërua me investime masive në energjinë e ripërtëritshme, duke e shndërruar vendin në lider evropian për prodhimin diellor dhe atë nga era. Britania e Madhe, si një nga pionierët, arriti fillimisht të ulë çmimet për konsumatorët, por më vonë tregu u përqendrua në pak kompani të mëdha. Kriza energjetike e vitit 2021 tregoi qartë se liberalizimi pa garanci afatgjata e ekspozon shoqërinë ndaj luhatjeve të tregjeve globale.

Në anën tjetër, vende më të brishta si Greqia dhe Shqipëria ofrojnë përvoja të ngjashme me Kosovën. Të varura kryesisht nga importet, ato u përballën me pasiguri dhe çmime të paqëndrueshme, gjë që i detyroi qeveritë të ndërhynin me subvencione dhe mekanizma kompensues për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset. Përkundrazi, Polonia ndoqi një qasje më të kujdesshme. Ajo e lidhi liberalizimin me investime të reja në termocentrale moderne dhe në burime të ripërtëritshme, duke siguruar një nivel më të lartë të sigurisë energjetike përpara hapjes së plotë të tregut.

Rasti i Kosovës

Kosova, në vend që të mësonte nga këto përvoja, ndërmori hapin e liberalizimit për kompanitë e mëdha pa siguruar më parë kapacitete të reja prodhuese. Ky vendim e ka detyruar sektorin privat të lidhet me furnizues të jashtëm, duke i ekspozuar bizneset ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare dhe duke rritur ndjeshëm kostot e tyre. Në vend që të krijohej konkurrencë e shëndetshme, u gjenerua paqëndrueshmëri dhe varësi gjithnjë e më e madhe nga importet.

Ajo që e veçon Kosovën nga shumica e vendeve të tjera është politizimi ekstrem i sektorit energjetik. Në Gjermani, Britani apo Poloni, energjia është trajtuar si politikë kombëtare afatgjatë, e lidhur ngushtë me sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik. Në Kosovë, përkundrazi, energjia është shndërruar në një instrument politik të qeverive të radhës. Vendimmarrjet nuk janë mbështetur gjithmonë mbi analiza ekonomike dhe strategjike, por shpesh mbi llogaritje të ngushta partiake. Projektet madhore ose janë bllokuar, ose janë përdorur si element retorik në debatin politik, duke penguar ndërtimin e një baze të fortë energjetike.

Kësisoj, shumica e qeverive të Kosovës, në vend që ta shohin energjinë si themelin e zhvillimit ekonomik dhe të pavarësisë kombëtare, ia kanë “vrarë shpirtin zhvillues” vendit duke e kthyer atë në një fushë përplasjesh politike. Politizimi ka penguar krijimin e një vizioni afatgjatë, ka bllokuar projekte strategjike si “Kosova C”, dhe e ka bërë vendin gjithnjë e më të varur nga importet. Liberalizimi i tregut në kushte të tilla nuk ka qenë hap drejt zhvillimit, por hap drejt dobësimit të mëtejshëm ekonomik dhe rritjes së pasigurisë energjetike.

Nga përvojat ndërkombëtare del qartë se liberalizimi mund të sjellë përfitime vetëm nëse paraprihet nga krijimi i kapaciteteve të brendshme të qëndrueshme dhe nga një strategji e depolitizuar e zhvillimit energjetik. Në Kosovë, ky proces nuk është trajtuar si projekt kombëtar, por si instrument i politikës ditore, dhe për pasojë ka prodhuar efekte të kundërta nga ato të synuara. Vetëm përmes një strategjie që kombinon ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe, mbi të gjitha, depolitizimin e sektorit, Kosova mund ta shndërrojë energjinë nga fushë krize në motor të zhvillimit të qëndrueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Lirak Karjagdiu Me rastin e 60-vjetorit të ndarjes nga…