
Gabova që e votova qeverinë Kurti. Kurrë s’e votoj më
Deputeti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili dy ditë më parë është kthyer nga Zvicra në Kosovë, ka folur edhe një herë rreth rrugës drejt mbërritjes në shtëpinë e vet në Prishtinë. Ai thotë se është habitur me pritjen nga udhëheqësit e institucioneve të vendit. Sipas tij, ai u kërcënua nga udhëheqësit e autoriteteve të Kosovës, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryeministri Albin Kurti.
“Jam i njoftuar dhe e kam pa insertin e Sveçlës dhe kam qenë jashtëzakonisht i habitur nga prijësit e institucioneve të shtetit tim që drejtpërdrejti më kanë kërcënuar”, tha Pacolli në Pressing.
“Ishte kërcënim i drejtpërdrejtë prej një prej udhëheqësve të shtetit tim të cilit jam duke i shërbyer për shumë kohë.
Më shqetësues është një postim i kryeministrit që më ftonte në një debat mua ku ai do të ishte bashkë me drejtorin e policisë. Një ftesë arrogante e cila krijoj frikësim, është një kërcënim dhe është drejtuar në adresë të gabuar. Unë nuk e toleroj dot këtë kërcënim”, ka thënë Pacolli dhe ka shtuar se ka gabuar që e ka votuar qeverinë Kurti. “Kurrë më nuk do ta votoj qeverinë Kurti”, ka shprehur mendimin Pacolli.