
GAP-i: Kryetarët e komunave kanë përmbushur vetëm 51 për qind të premtimeve zgjedhore
Instituti GAP ka prezantuar raportin mbi përmbushjen e premtimeve nga kryetarët e komunave të Kosovës gjatë mandatit 2021–2025, ku rezulton se vetëm gjysma e tyre janë realizuar.
Hulumtuesi i GAP-it, Bekim Salihu, ka bërë me dije se nga 1 815 premtime të dhëna nga 27 kryetarët e komunave, 918 janë plotësisht të përmbushura, 234 gjysmë të përmbushura, 281 të filluara, ndërsa 382 nuk janë realizuar.
“27 kryetarë të komunave të Kosovës kanë dhënë 1 815 premtime dhe tani në fund të mandatit rezulton që nga këto premtime 918 premtime janë plotësisht të përmbushura. 234 premtime janë gjysmë të përmbushura. 281 premtime janë të filluara ndërkaq 382 premtime nuk janë përmbushur gjatë këtij mandati. Vlerësuar sipas përqindjes rezulton se 51 për qind e premtimeve janë përmbushur, 13 për qind e premtimeve janë gjysmë të përmbushura, 15 për qind janë të filluara ndërkaq 21 për qind e premtimeve nuk janë përmbushur gjatë këtij mandati”, ka thënë Salihu.
Ai ka theksuar se sipas fushave, më së shumti janë përmbushur premtimet në shëndetësi (66%), arsim (63%), administratë (58%) dhe në fushën sociale (55%).
Ndërsa sipas tij, më së paku janë përmbushur premtimet në urbanizëm (34%), infrastrukturë (37%) dhe shërbime publike (41%).
Kurse drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, ka thënë se ky mandat është karakterizuar me një numër shumë të madh të premtimeve krahasuar me mandatet e kaluara, dhe se kryetarët e rinj kanë performuar më mirë në krahasim me ata që kanë udhëhequr komunat edhe më herët.
“Ky mandat i cili po përfundon 2021–2025 është karakterizuar me një numër shumë të madh të premtimeve krahasuar me mandate të tjera, kemi 1 800 premtime krahasuar me mandatet e kaluara kur kishim 500 deri në 900 premtime. Kemi pasur edhe me mandatin e kaluar në shumë komuna kanë kandiduar kandidatë të rinj ose nga partitë që nuk kanë udhëhequr vitet e fundit me atë komunë. Nga rezultatet që po i publikojmë sot, dallohet që disa nga performuesit më të mirë nga kryetarët aktualë janë pikërisht kryetarët e rinj. Sepse edhe nxitjen e kanë pasur më të madhe që të tregojnë veten e tyre që të bëjnë punë më të madhe”, ka thënë Hasaj.
Më tutje, ai ka thënë se përveç zotimeve, kryetarët janë përballur edhe me sfida të jashtëzakonshme që kanë ndikuar në realizimin e agjendave të tyre.
“Kjo është karakterizuar edhe me disa sfida që edhe kryetarët e zgjedhur nuk kanë mundur t’i anticipojnë aq lehtë, fillimisht inflacioni, i cili ka qenë problem evident në dy vitet e para të mandatit të tyre. Një problem tjetër që ka ndikuar në dinamikën e punëve që kanë mundur t’i realizojnë kryetarët janë pagesat që është dashur t’i bëjnë për vendimet gjyqësore dhe obligimet përmbarimore”, ka thënë Hasaj.