GAP-i: Një numër i konsiderueshëm i projekteve kapitale të komunave nuk janë funksionalizuar asnjëherë

06 shkurt 2022 | 13:02

Instituti GAP ka publikuar të dielën raportin “Qëndrueshmëria e investimeve kapitale të komunave”.

Ky institut ka njoftuar se në nivel komunal, një numër i konsiderueshëm i projekteve kapitale nuk janë funksionalizuar asnjëherë apo nuk kanë arritur rezultatin e planifikuar.

“Raporti i  Institutit GAP ofron shembuj të investimeve të kryera që nga viti 2000 të cilat akoma nuk janë funksionale. Ndërsa raste të tjera përfshijnë ndërtimin e shkollave, që pas përfundimit të ndërtimit është konstatuar që terreni është jo i përshtatshëm për ardhje/vajtje të nxënësve, ose ndërtimin e qendrave mjekësore për të cilat pas përfundimit është konstatuar që nuk ka numër të mjekëve për t’i bërë ato funksionale, e deri të ndërtimi i kontenjerëve nëntokësorë për mbeturina, që vetëm pas ndërtimit është konstatuar që Kosovës i mungojnë automjetet adekuate për tërheqjen e mbeturinave në sistemin nëntokësor”.

“Këto raste, përveç që dëshmojnë mos planifikim të duhur të investimeve, janë edhe rezultat i ndryshimeve demografike dhe rrjedhimisht, mungesa e nevojës për shfrytëzimin e tyre; mosmirëmbajtja dhe dëmtimi i projekteve pas përfundimit të investimeve; kontestet pronësore; mungesa e fondeve të mjaftueshme për të përfunduar projektin dhe në disa raste pamundësia e komunave për të pranuar staf me pagesë të rregullt, në menaxhimin ose funksionimin e objekteve të caktuara”, ka njoftuar GAP-i.

Instituti GAP ka analizuar shkaqet që kanë çuar në dështimin e disa projekteve kapitale në të kaluarën.

Sipas këtij raporti, arsyet që mund të dërgojnë në investime kapitale të dështuara, në njërën anë, ndërlidhen me mospërfshirjen e mjaftueshme të grupeve të interesit gjatë fazave të projekteve, dhe në anën tjetër, me mosrespektimin e plotë të procedurave ligjore të prokurimit, duke filluar nga hartimi i kontratave me operatorët ekonomikë dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre.

GAP-i ka ofruar edhe një numër rekomandimesh se si do të mund të përmirësohen politikat publike në këtë fushë.

Raportin mund ta gjeni bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar: Këtu

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mariana Kondi ka folur për herë të parë për akuzat…