
GAP-i për komunat: Mjetet e planifikuara për ndërtimin e rrugëve apo qendrave kulturore janë përdorur për pagesa përmbarimore
Instituti GAP ka publikuar analizën “Paraqitja jo e saktë e investimeve kapitale komunale: implikimet për transparencë dhe monitorim”.
Analiza trajton problemin e raportimit jo të saktë të shkallës së realizimit të investimeve kapitale nga komunat në raportet e Thesarit të Kosovës.
Gjetjet tregojnë se për shkak të proceseve përmbarimore me të cilat po përballen komunat – kryesisht obligime që burojnë nga marrëveshje dhe ligje të nivelit qendror (si kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi) – fondet e planifikuara për investime kapitale po përdoren gjithnjë e më shpesh për mbulimin e këtyre obligimeve. Megjithatë, këto pagesa vazhdojnë të paraqiten si shpenzime kapitale në raportet e Thesarit. Si pasojë, indikatorët e realizimit të investimeve kapitale janë të fryrë dhe jo realë, duke krijuar pamundësi për monitorim të saktë të punëve publike.
Në disa raste, të gjitha mjetet e planifikuara për ndërtimin e rrugëve apo qendrave kulturore janë përdorur për pagesa përmbarimore, por në raporte figurojnë si realizim 100% i projekteve.
Instituti GAP rekomandon që raportet financiare të Thesarit të përditësohen për të ndarë qartë shpenzimet për zbatim të punëve nga ato për pagesa gjyqësore. Po ashtu, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet të rishikojë metodologjinë e Grantit për Performancë Komunale, pasi që nga viti 2024 kriteret aktuale nuk po arrijnë të reflektojnë qëllimin thelbësor të Grantit – mbështetjen e komunave me performancë më të mirë – por në praktikë po favorizojnë komunat me më pak raste përmbarimore të lidhura me kontratat kolektive.