
GAP-i publikoi raportin ‘Prioritetet e buxhetit të Kosovës para pandemisë Covid-19’
Instituti GAP ka publikuar të enjten raportin “Prioritetet e buxhetit të Kosovës para pandemisë COVID-19.”
Qëllimi i këtij raporti është që të bëjë një analizë të ndarjeve të miratuara buxhetore për vitin 2020, para goditjes nga pandemia Covid-19.
Duke pasur parasysh vonesat në formimin e qeverisë, buxheti i Kosovës për vitin 2020 ishte miratuar jashtë afateve të rregullta ligjore.
Instituti GAP ka theksuar se ngjashëm sikurse viteve të kaluara, shumica dërmuese e projekteve kapitale qendrore janë vazhdime apo obligime nga vitet e kaluara, duke lënë pak hapësirë për projekte të reja.
“Gjithashtu, edhe prioritetet sipas fushave kanë mbetur të njëjta me vitin e kaluar, ku më shumë se gjysma e shpenzimeve orientohen për çështjet ekonomike, mbrojtje sociale dhe arsim. Buxheti për shëndetësi është rritur lehtë ndërsa ai për arsim ka rritje të theksuar krahasuar me vitin paraprak. Tek Inspektorati i Punës është ndarë buxhet vetëm për 90 persona, ndërsa në programin e qeverisë, stafi i këtij departamenti parashihet të jetë 400 persona. Sa i përket shpenzimeve rrjedhëse, ato kanë mbetur pothuajse të njëjta me vitin e kaluar. Mirëpo, në rast të hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik, atëherë nuk dihet sa mund të rriten këto shpenzime, duke pasur parasysh se kostoja e saktë e ligjit nuk dihet ende”, ka njoftuar GAP-i.
Sipas GAP-it, për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit kemi një rënie të theksuar të buxhetit për ndërtim të autostradave dhe rehabilitim të rrugëve, por megjithatë Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit do ta menaxhojë gati gjysmën e buxhetit qendror për investime kapitale.
“Sa i përket investimeve kapitale nga niveli qendror në atë lokal, edhe këto investime kapitale në pjesën më të madhe janë vazhdimësi nga viti i kaluar. Mirëpo, këtë vit shihet një shpërndarje më e balancuar e këtyre investimeve në komuna. Instituti GAP do të bëjë një analizë të ndarë sa i përket ndryshimeve në buxhetin e Kosovës si pasojë e krizës nga Covid-19”, ka njoftuar GAP-i. (L.G/ Epoka e re)