Gashi: Besa do ta hijeshojë Superligën

19 qershor 2020 | 17:12

Mesfushori Dugagjin Gashi është i bindur se skuadra e Besës do t’i japë hijeshi Superligës në edicionin 2020/2021.

Skuadra e Besës së Pejës e arriti një sukses të madh, pasi është rikthyer pas dy vjetësh në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Në fakt, klubi me traditë të madhe në futbollin e Kosovës ishte lider në Ligën e Parë, kur Federata e Futbollit mori vendim për pezullimin e kampionatit në këtë rang garash për shkak të pandemisë Covid-19.

Në këtë mënyrë Besa dhe Arbëria në edicionin e ardhshëm do të jenë pjesë e elitës. Mesfushori me përvojë të madhe në futbollin vendor, Dugagjin Gashi, ka thënë për “Epokën e re” se skuadra pejane është rikthyer me plot meritë në Superligë. “Besoj shumë se me meritë jemi rikthyer në Superligë, pasi nga fillimi kemi qenë në pozitën e parë. Kemi pasur ekip stabil dhe kushtet i kemi pasur të mira falë Shkumbin Gashit dhe ‘Elkos Gruop’”, ka thënë ai.

Më pas mesfushori ka folur edhe për synimet që mund të ketë klubi i Besës. “Nuk e di se çfarë synime do të ketë klubi i Besës në edicionin e ri në Superligë, pasi kjo varet nga pronari i klubit. Besoj shumë se Besa do t’i japë hijeshi Superligës dhe do të jetë një klub stabil”, ka thënë Gashi.

Kontrata e mesfushorit me skuadrën e Besës është e vlefshme deri në fund të këtij muaj, kurse shumë shpejt do të zhvillohen bisedimet për zgjatjen e saj. Futbollisti pejan ka bërë me dije se është shumë i interesuar që edhe sezonin tjetër të luajë për klubin e tij të zëmrës. “Normalisht se jam i gatshëm të vazhdoj kontratën me Besën, sepse është klubi i vendlindjes sime dhe me të i kam arritur sukseset më të mëdha si futbollist. Kam qenë pjesë e rrugëtimit drejt rikthimit në Superligë dhe dua që të vazhdoj këtë rrugëtim”, ka shtuar Gashi.

(Veton ZYMBERI)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pak fjalë për poezinë e Fahredin Shehut Jo rastësisht, tek…