Përfaqësuesi i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi, ka demantuar presidenten Vjosa Osmani për deklaratën e saj, se KQZ-ja nuk ishte gati të organizonte zgjedhje më 21 dhjetor.
“KQZ-ja ka qenë e gatshme për zgjedhje si më 21 ashtu edhe më 28 dhjetor. Ne, si trup, asnjëherë nuk jemi pyetur nga askush për datën e zgjedhjeve”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Postimi i plotë i Gashit:
Pas takimit të presidentes me përfaqësues të partive politike lidhur me datën e zgjedhjeve, si anëtarë të KQZ-së, së bashku me kolegun Arianit Elshani, jemi takuar me kryetarin e KQZ-së dhe i kam kërkuar që, nëse ftohet në konsultime nga presidentja, të ketë parasysh dy çështje:
Së pari, ne kemi obligim ligjor t’i mbajmë zgjedhjet sa herë që ato shpallen.
Së dyti, të mos bëhet palë në përcaktimin e datës, pasi kjo nuk është qëndrim i KQZ-së dhe do të më duhej ta demantoja publikisht.
KQZ-ja ka qenë e gatshme për zgjedhje si më 21 ashtu edhe më 28 dhjetor. Ne, si trup, asnjëherë nuk jemi pyetur nga askush për datën e zgjedhjeve.
Kushdo që e ka vënë presidenten në lajthitje nuk ka pasur fare të bëjë me diskutimet e brendshme të KQZ-së. Çfarëdo rekomandimi ka mundur të jetë vetëm personal, nga ndonjë individ i caktuar, dhe jo qëndrim zyrtar i KQZ-së.
Prandaj, KQZ-ja, si trup, nuk ka diskutuar dhe nuk ka marrë asnjëherë vendim për t’i dhënë Presidentes një datë për zgjedhjet.