Gashi, Kurtit: Jeni fatkeqësia e këtij vendi
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se qeveria ka dështuar në dy vjet qeverisje.
Në seancën e Kuvendit ku është duke u diskutuar për qeverisjen e dy viteve të fundit, Gashi i ka thënë kryeministrit Albin Kurti se “ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”.
Në këtë kontekst, Gashi e ka përmendur edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Kurti po i jep Serbisë “autonominë territoriale”.
“Shkuat, dialoguat dhe bëtë marrëveshje të cilën premtuat se kurrë nuk do ta bënit. Bëtë marrëveshjen dhe tash po e themeloni asociacionin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe po shkoni përtej asaj që është dialoguar ndonjëherë dhe që është arritur ndonjëherë. Ju kryeministër, po e themeloni autonominë territoriale për komunat me shumicë serbe. Kjo është shkelja më e rëndë dhe atentati më i rëndë që u bëhet qytetarëve të Kosovës, Kushtetutës së Kosovës dhe vullnetit politik të shprehur në këtë vend”, është shprehur Gashi.



