
Gasperini: Roma nuk është në gjendje të fitojë titullin kampion
Në konferencën e parë për shtyp si trajner i Romës, Gian Piero Gasperini vendosi kufij të qartë për pritshmëritë e sezonit të ardhshëm. Duke u treguar realist shprehet se skuadra do të synojë të jetë në katër vendet e para.
“Rezultati maksimal mund të jetë kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Roma, për momentin, nuk është në gjendje të fitojë titullin kampion – pastaj, nuk i dihet kurrë…”, u shpreh Gasperini. Tekniku 66-vjeçar, i cili pason Claudio Ranierin në pankinën verdhekuqe, u prezantua si një trajner i qartë në mendime dhe realist në vizion. Ai theksoi se prioriteti i tij është ndërtimi i një grupi të fortë, me identitet të qartë dhe një bërthamë lojtarësh që të garantojë vazhdimësi dhe rritje. “Kam folur me Claudio dhe më dha një pasqyrë të detajuar për realitetin e klubit, me të mirat dhe të këqijat e viteve të fundit. Më pas takova pronarët, të cilët janë të apasionuar dhe kanë ambicie të qarta, por këtë herë duan të ecin me hapa më të qëndrueshëm”, ka deklaruar Gasperini, duke iu referuar edhe kufizimeve të Fair Play Financiar. Sa i përket presionit që shoqëron një qytet si Roma, ai nuk u tregua i shqetësuar.
“Më kanë paralajmëruar për vështirësinë që ka kjo qytet futbolli, por unë e shoh si një forcë. Duhet të kanalizojmë këtë entuziazëm në drejtimin e duhur”, ka shtuar Gasperini.