Gattuso: Të rikthejmë entuziazmin në kombëtare

19 qershor 2025 | 13:16

Genaro Gattuso është prezantuar këtë të enjte zyrtarisht si trajneri i përfaqësueses italiane të futbollit, pas shkarkimit të Luciano Spalletit. Prezantimi u bë nga presidenti i Federatës, Gabriele Gravina.

Vetë Gattuso u shpreh i emocionuar që do të drejtoj përfaqësuesen “azzurre” pavarësisht momentit delikat në të cilën ndodhet për momentin kjo kombëtare: “Kjo është një ëndërr që bëhet realitet, shpresoj të jem në lartësinë e duhur. E di që detyra nuk është e lehtë, por asgjë në jetë nuk është e lehtë. Unë dhe stafi im e dimë që ka shumë punë për të bërë, por kemi vetëdijen se mund të bëjmë një punë shumë të madhe. Prej vitesh dëgjoj që nuk ka talent, por unë mendoj se lojtarët ekzistojnë – thjesht duhet t’i vëmë në kushtet e duhura për të shprehur maksimumin e tyre”.

Më pas Gattuso u ndal të fliste për gjendjen e skuadrës dhe rrezikun për të humbur mundësinë për të munguar për herën e tretë me radhë në Kupën e Botës. Ish-mesfushori u shfaq i qetë, teksa theksoi se skuadrës i duhet rikthyer entuziasmi: “Qëllimi është të rikthejmë Italinë në Kupën e Botës – për ne dhe për futbollin tonë është diçka thelbësore. Duhet të rikthejmë entuziazmin, të mos mendojmë në mënyrë negative. Kushdo që vjen në Coverciano duhet të vijë me entuziazëm – krijimi i një familjeje është gjëja më e rëndësishme. Përveç teknikës dhe taktikës, duhet të rikthejmë atë frymë grupi që për vite me radhë na ka dalluar në botë. Kam bindjen që kemi në dispozicion lojtarë të rëndësishëm – 4-5 prej tyre janë ndër 10 më të mirët në botë në rolet e tyre. Por po e përsëris: është fjala për skuadrën, jo për individët. Jam i bindur që skuadra ka vlera dhe mund të arrijmë objektivin. Kur më telefonuan Buffon dhe Gravina, nuk hezitova asnjë sekondë – besoj që kemi cilësitë për ta arritur qëllimin”.

Në fund Gattuso u ndal të fliste edhe për problematikën e lojtarëve të huaj në kampionatin Italian, numri i të cilëve po shtohet nga viti në vit gjithmonë e më shumë: “Ka një të dhënë që duhet të na bëjë të reflektojmë. Këtë vit në kampionatin italian kanë luajtur 68% lojtarë të huaj dhe vetëm 32% italianë. Në nivelin e të rinjve është bërë një punë shumë e mirë, por pas moshës U-19 lojtarët diku humbin rrugës. Duhet t’u japim më shumë hapësirë të rinjve. Tani ndryshimi ka të bëjë me faktin që të kemi më shumë të rinj në dispozicion. Të veshësh fanellën e Kombëtares dhe të mos kualifikohesh dy herë radhazi në Botëror nuk është e lehtë, por nuk duhet të kemi frikë”, ka deklaruar Gatusso.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet raketore ruse ndaj…