
Gavi: Barcelona nuk ka nevojë për shumë përforcime
Pas shumë lëndimeve, mesfushori i Barcelonës, Gavi, është gati të rimarrë vendin e tij në zemër të mesfushës “blaugrana”. I intervistuar nga “Catalunya Radio”, talenti i ri spanjoll foli për vështirësitë që ka përjetuar muajt e fundit.
“Para se të kthehesha në fushë mendova se duhej ta merrja me qetësi këtë sezon, sepse kisha kohë që isha jashtë. Por kur je me ekipin, koka të shtyn të japësh gjithçka. Ishte e vështirë për mua, sepse nuk jam mësuar kurrë të përmbahem”, ka thënë Gavi.
Duke folur për të ardhmen e klubit dhe transferimet e mundshme, Gavi nënvizoi konkurrencën e skuadrës aktuale të Barçës: “Ne kemi një ekip shumë të fortë dhe, të them të drejtën, nuk kemi nevojë për shumë blerje. Ndoshta një ose dy, do të varet nga daljet. Të shohim”. Mesfushori ka shtuar se, nëse ka ndonjë lëvizje, ato mund të prekin repartin sulmues.
“Ndoshta në sulm mund të marrim dikë, por kjo është puna e Deco”, ka deklaruar më tej Gavi duke iu referuar drejtorit sportiv të klubit.