Gazeta ruse: Kisha Ortodokse Serbe, një nga shtyllat e ndikimit rus në Ballkan

28 korrik 2025 | 08:25

Kisha Ortodokse Serbe (KOS) është një nga aktorët kyç në realizimin e interesave ruse në Ballkan, por nuk është lojtari i vetëm që Moska ka në rajon. Kështu deklaron gazetari dhe analisti gjeostrategjik Genadij Viktoroviç Sisojev, korrespondent prej vitesh i gazetës ruse Komersant në Ballkan.

Sipas tij, ndikimi i KOS është veçanërisht i dukshëm në përpjekjet e Rusisë për të ruajtur dhe forcuar praninë e saj në rajon, veçanërisht pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, që ka ndikuar në tkurrjen e fuqisë ruse në rajone si Ballkani.

Sisojev përmend një takim të zhvilluar në prill të këtij viti në Moskë, ku Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, dhe peshkopi Irinej Buloviq, u takuan me presidentin rus Vladimir Putin.

“Ky takim kishte rëndësi të veçantë për Kremlinin: përmes Kishës, Rusia konfirmoi pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në paradën shtetërore të 9 majit në Moskë, për nder të Ditës së Fitores ndaj fashizmit”, tha ai.

Sipas Sisojevit, ishte e domosdoshme për Rusinë që Vuçiç të merrte pjesë në këtë ngjarje, pasi ai kishte refuzuar një ftesë të mëparshme për një samit të BRICS në Kazan, me arsyetimin e “angazhimeve të mëparshme”. Këtë herë, për të shmangur një refuzim tjetër, Kremlini zgjodhi të përdorte Kishën Ortodokse Serbe si kanal të komunikimit në vend të figurave politike si Aleksandër Vulin.

“Pjesëmarrja e Vuçiç në ceremoninë në Sheshin e Kuq, ishte një dëshmi e qartë jo vetëm për rolin që KOS luan në politikën e brendshme të Serbisë, por edhe për prestigjin që kjo Kishë gëzon në sytë e Kremlinit”, tha analisti rus.

Sisojev shton se, megjithëse Rusia ka humbur shumë nga ndikimi i saj tradicional në rajone si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi apo edhe vetë Serbia, për shkak të afrimit të këtyre vendeve me Perëndimin, institucione si Kisha Ortodokse Serbe mbeten ende ura të forta lidhjeje me Moskën dhe instrumente të politikës së jashtme ruse në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që një javë komuna e Pejës nuk mund të kryejë…