Gazetarët e RTK-së po ndëshkohen për raportim të censurës, Vetëvendosja po e gjunjëzon RTK-në

02 shtator 2025 | 08:13

Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka nisur procedura disiplinore ndaj gazetarëve dhe redaktorëve që kanë përgatitur dhe transmetuar një kronikë mbi deklaratën e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), e cila u publikua para katër ditësh në mbështetje të gjashtë redaktorëve të larguar nga ekrani, si pjesë e asaj që është quajtur censurë dhe presion politik brenda transmetuesit publik.

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka bërë të ditur në një reagim publik se menaxhmenti i RTK-së ka ndërmarrë veprime disiplinore ndaj stafit, me arsyetimin se në kronikë nuk është përfshirë qëndrimi i menaxhmentit – ndonëse, sipas saj, ata nuk kishin dhënë asnjë reagim në ditën kur u publikua deklarata.

“Nëse menaxhmenti ka pritur që redaktorët dhe gazetarët të gjejnë deklarata të vjetra sa për balancim, kur vetë menaxhmenti ka pasur mundësinë të reagojë, atëherë i bie që menaxhmenti është duke u frymëzuar tej mase nga stili i Viktor Orbanit në Hungari për mënyrën e menaxhimit të transmetuesit,” ka shkruar Kusari.

Ajo e cilëson këtë veprim si një përpjekje të qartë për frikësim dhe intimidim të gazetarëve të pavarur dhe profesionalë në RTK, duke theksuar se po ndjek me vëmendje procedurat disiplinore dhe do të ndajë me publikun çdo zhvillim të ri.

Sipas saj, zhvillimet në RTK duhet të shqetësojnë çdo qytetar që beson në të drejtën për informim të pavarur dhe jo të kontrolluar nga pushteti politik.

Kusari ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e akuzon për përpjekje për ta vënë RTK-në nën kontroll të plotë politik.

AGK-ja, në deklaratën e saj, kishte shprehur shqetësim për gjendjen në RTK dhe ishte solidarizuar me redaktorët që, sipas tyre, janë larguar si pasojë e presionit politik brenda institucionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka thënë…