
Gazetari i ‘New York Times’-it: Po flisnim me Adem Jasharin, por nuk e kuptuam deri më vonë se ishte ai
Trupa të vrarë e të masakruar… Nëna me fëmijë duke kaluar kufirin, pa ushqim, pa strehë…
Imazhet e mëngjesit të 26 shtatorit të vitit 1998 në fshatin Abri të Poshtme e ndjekin kudo Wade Goddard, dikur fotoreporter i luftës.
Teksa një djalë po shikonte familjarët e vrarë, Wade Goddard ishte afruar dhe kishte vendosur edhe vetë “duart në kokë”. Përmes objektivit të tij janë dokumentuar mizoritë që kanë ndodhur në Kosovë nga Serbia .
Sot, këto fotografi janë dëshmi të gjalla të një historie të përgjakshme.
Ai ka raportuar për luftën e viteve 1998/99 në “New York Times” e më pas në “Newsweek”.
“E para që më vjen në mendje është masakra në Abri të Poshtme. Ishte aq shkatërruese saqë nuk mundesha të bëja atë që duhet, pra të bëja fotografi me fokus. U ula pranë një banori lokal dhe vendosa duart në kokë duke u menduar se kush mund të bënte një gjë të tillë. Duhet të bëja një përpjekje të madhe që të ngrihesha dhe të bëja disa foto sepse e dija sa e rëndësishme ishte të dokumentoja ngjarjet. Normalisht kur punon me një foto, përqendrohesh në imazh, por atëherë isha duke bërë thjesht fotografi të shpejta dhe nuk mundesha të përqendrohesha mirë. Kjo ishte më e vështira. Më dhembte shumë kur shihja nënat me fëmijë që kalonin kufijtë, pa ushqim, pa strehë, pa kujdes”, ka rrëfyer Goddard për “Kosovapress”.
Në shkurt të vitit 1998, ai ka ardhur në Kosovë bashkë me gazetarin Chris Hedges.
Goddard ka kujtuar edhe takimin me komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Nuk e kuptuam deri më vonë se në fakt ishte Adem Jashari me të cilin po flisnim. Kishim përkthyes, por nuk më kujtohet se kush ishte. Chris, gazetari i ‘New York Times’, bëri një intervistë me Adem Jasharin dhe ai nuk donte të fotografohej, gjë që ishte e pakëndshme për mua. Por në fund, arrita ta bindja që të paktën të fotografoja trupën e tij të sigurisë, dhe e bëra. Për mua, ishin vetëm disa sekonda pune pas gjithë asaj dite udhëtimi, por për Chrisin ishte shumë e vlefshme”, ka rrëfyer Goddard.
Kur e kujton Kosovën, në mendje ka thënë se ka fëmijët e vrarë dhe imazhet e popullatës së përvuajtur.
Gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, fotoreporteri i luftës, ka thënë se ka parë me mijëra refugjatë duke u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë e Maqedonisë.
Fotoreporteri me prejardhje nga Zelanda e Re është larguar nga Kosova në fund të marsit 1999 dhe është zhvendosur përtej kufijve, ku më pas ka dokumentuar edhe shpërnguljet masive.
Festën dhe kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre, tashmë të rrënuara, ai e ka dokumentuar përmes fotografive.
Në luftën e viteve 1998/99 janë vrarë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra e burra, ndërsa të pagjetur janë mbi 1600 persona.