
Gazetari i njohur italian i sugjeron Milanit transferimin e Gjimshitit: Është shqiptar si Tare
Berat Gjimshiti ka refuzuar së fundmi një ofertë të majme nga Katari, konkretisht nga klubi Al Rayyan, i cili ishte gati të paguante 12 milionë euro për shërbimet e mbrojtësit shqiptar.
Megjithatë, kapiteni i Kombëtares Kuqezi preferoi të mos transferohej në Lindjen e Mesme, duke vënë në plan të parë ambiciet sportive përpara përfitimeve financiare.
Refuzimi i Katarit ka bërë që emri i Gjimshitit të qarkullojë sërish në tregun e transferimeve, këtë herë si objektiv i një gjigandi të Serie A – Milanit. Gazetari i njohur italian, Carlo Pellegatti, ka zbuluar se “djalli” është i interesuar për qendërmbrojtësin e Atalantës, duke e përshkruar atë si një lojtar të kujdesshëm dhe me eksperiencë, i cili mund të ndihmojë në rindërtimin e repartit të prapavijës.
“Milan po ndërton një mbrojtje të re, por kujdes emrin e Berat Gjimshitit që deri më tani nuk ka dalë në pah. Ai është shqiptar si Igli Tare, është një lojtar shumë i kujdesshëm, mund të plotësojë prapavijën e kuqezinjve me eksperiencën e tij”, shkruan Pellegatti.
Gjimshiti është aktualisht nën kontratë me Atalantën deri në vitin 2026, por situata e tij është delikate. Klubi bergamask duhet të vendosë nëse do t’i ofrojë rinovimin e kontratës apo do të shqyrtojë ofertat që vijnë, për të mos rrezikuar ta humbasë lojtarin me parametër zero vitin e ardhshëm.