Gazetari italian paralajmëron transferimin e Gjimshitit në Milan
Emërimi i Igli Tares si drejtor sportiv i Milanit përbën një tjetër arritje të madhe për shqiptarët në arenën ndërkombëtare të futbollit.
Me një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në këtë rol, Tare pritet të sjellë një frymë të re në politikën sportive të kuqezinjve, dhe nuk përjashtohet që në listën e tij të përforcimeve të jenë edhe lojtarë nga Kombëtarja shqiptare. Një nga emrat që po përflitet është ai i Berat Gjimshitit, mbrojtësit me përvojë i Atalantës.
Gazetari i njohur italian, Karlo Pelegatti, ka ngritur zërin për këtë pistë të mundshme, duke theksuar: “Kini kujdes me emrin e Berat Gjimshitit. Ai nuk është përmendur ndonjëherë në lidhje me Milanin, por mos e përjashtoni si mundësi. Ai është shqiptar, ashtu si Igli Tare, dhe mund të vëzhgohet me kujdes. Me përvojën e tij, Gjimshiti mund të kompletojë mbrojtjen e kuqezinjve”.
Një transferim i mundshëm i Gjimshitit te Milani do të përfaqësonte jo vetëm një hap të madh në karrierën e tij personale, por edhe një tjetër gur themeli për përfaqësimin shqiptar në një prej klubeve më të mëdha dhe prestigjioze të futbollit evropian.



