Gazetarja Elmedina Ballazhi i hyn garës për deputete në listën e PDK’së: Jam zëri i veteranëve

09 dhjetor 2025 | 17:52

Pas vitesh përvojë në gazetari, Elmedina Ballazhi ka vendosur t’i hyjë garës politike për t’u bërë deputete e legjislaturës së ardhshme. Në njoftimin e saj, gazetarja premtoi se do të jetë zëri i veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve.

Ballazhi tregoi për aktivitetet e saj të shumta gjatë viteve të fundit, duke përmendur angazhimin e gjatë në gazetari, dëshminë në Hagë për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, si dhe për fushatën për të bojkotuar produktet serbe.

Si vajzë e veteranit të UÇK-së, Ballazhi po ashtu u zotua se do të mundohet të jetë zëri i kësaj kategorie dhe grupeve të tjera të dala nga lufta çlirimtare.

“Zotohem para jush se do të jem: zëri i të rinjve që kërkojnë shpresë, zëri i grave që kërkojnë barazi, zëri i familjeve që luftojnë çdo ditë për dinjitet, zëri i veteranëve dhe i familjeve të dëshmorëve që meritojnë respekt, jo harresë”, shkroi Ballazhi.

Në listën e PDK-së me numër 130 që udhëhiqet nga kryetari Bedri Hamza, Elmedina Ballazhi synon të bëhet deputete pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit me numër 81.

Postimi i plotë i kandidates për deputete:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, njerëz të mirë dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës,

Sot, po dal para jush jo vetëm si kandidate për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por si bijë e kësaj toke, si zë i së vërtetës dhe si bijë e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shaban Ballazhi.

Pas 9 viteve përvojë si gazetare, sot po i hyj garës për deputete, krah kryeministrit të ardhshëm, Bedri Hamza. Kam pasur nderin dhe barrën historike të jem dëshmitare në Gjykatën e Hagës, në mbrojtjen e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gicatit dhe në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të luftës sonë të drejtë dhe të së vërtetës për lirinë tonë.

Kjo përvojë më obligon që të mos hesht kurrë përballë padrejtësive. Që nga fëmijëria, babai im i ndjerë më ka mësuar: “Lufta e UÇK-së është e drejtë dhe e shenjtë. Ne ishim të obliguar të luftonim e të mbronim gra, pleq e fëmijë.”

Si anëtare e grupit “Besa–Besë / Mos blej produkte serbe”, besoj fuqishëm se patriotizmi ekonomik është detyrim i përditshëm — mbështetje për prodhimin vendor dhe për dinjitetin e shtetit.

Po kandidoj me numrin 81, një numër që nuk është rastësi. 81-shi është simbol i demonstratave të vitit 1981 — simbol i rinisë që u ngrit për dinjitet, për Republikë, për Kosovën e lirë. Është numër i rezistencës, i qëndresës dhe i ëndrrës që sot e gëzojmë.

Sot, me krenari dhe bindje të plotë, jam krah kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, sepse Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme,  për zhvillim ekonomik dhe për punë konkrete. Besoj fort se me Bedri Hamzën dhe me PDK-në, Kosova mundet më mirë.

Unë vij nga sakrifica, jo nga privilegjet. Vij nga një familje që i ka shërbyer Kosovës me nder, dhe këtë nder do ta mbroj edhe në Kuvend.

Zotohem para jush se do të jem:

— zëri i të rinjve që kërkojnë shpresë,

— zëri i grave që kërkojnë barazi,

— zëri i familjeve që luftojnë çdo ditë për dinjitet,

— zëri i veteranëve dhe i familjeve të dëshmorëve që meritojnë respekt, jo harresë.

Votoni numrin 130 — për një Kosovë të dinjitetshme.

Votoni numrin 81 — për përfaqësim të denjë.

Votoni Partinë Demokratike të Kosovës — votoni për Kosovën që e meritojmë.

Me besim në Zotin, në popullin dhe shtetin tonë, kërkoj mbështetjen tuaj.

Faleminderit nga zemra!

#PDK130

#81

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj…