
Gërvalla ftohet të raportojë në Komisionin për Punë të Jashtme
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë (KPJD), Haki Abazi, ka bërë me dije se ky komision ka vendosur ta ftojë për raportim ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar edhe për raportimin e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi.
Postimi i plotë dhe pandërhyrje i Abazit:
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të mbajtur raportoi Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili e informoi komisionin lidhur me vizitën e tij në Bruksel dhe takimet e zhvilluara atje dhe dinamiken qe pritet ne muajt ne vazhdim.
Takimi është karakterizuar me pyetje, diskutime dhe komente të frytshme për të vendosur bazat e bashkëpunimit dhe komunikimit Komision Parlamentar- Ekzekutiv, me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për proceset e rëndësishme që janë duke u zhvilluar në vendin tonë.
Gjithashtu KPJD sot miratoi fushë-veprimtarinë e komisionit. Anëtarët e komisionit u dakorduan që të kërkohet nga grupet parlamentare që të dërgohen propozimet sa i përket përbërjes së anëtarëve të grupeve të Miqësisë për Legjislaturën e VIII, ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës me parlamentet e shteteve tjera.
Mbledhja vijoi me propozimin që të formohet një grup punues brenda komisionit lidhur me mundësinë e plotësim-ndryshimit të rregullores për formimin e grupeve të miqësisë, e cila rregullore daton që nga viti 2009.
Në fund të mbledhjes, anëtarët e komisionit u dakorduan që në takimin e radhës të planifikuar më datë 11 Maj 2021, të ftohet Ministrja e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla Schwarz, për të raportuar lidhur me Planin Legjislativ të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.