Gërvalla: Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugëtimit euroatlantik

01 shtator 2025 | 17:06

Me ftesë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në edicionin e 20 jubilar të Forumit Strategjik të Bledit, që mbahet më 1 dhe 2 shtator 2025, me temën “Një botë e pakontrolluar” (A Runaway World).

Forumi i Bledit mbetet një platformë e rëndësishme globale për debatin rreth sfidave të sigurisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në kuadër të tij, ministrja Gërvalla do të jetë folëse në një nga sesionet qendrore, ku do ta paraqesë vizionin e Republikës së Kosovës për forcimin e multilateralizmit dhe ndërtimin e besimit në një kohë të pasigurt globale.

Në fjalën e saj ajo do t’i theksojë arritjet e Kosovës në proceset euroatlantike, përparimin në sundimin e ligjit dhe zhvillimin demokratik e ekonomik, duke e pozicionuar Kosovën si një partner i besueshëm dhe aktiv në arenën ndërkombëtare.

Gjatë forumit ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të vendeve pjesëmarrëse, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe aktorë të shoqërisë civile, me synim forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës.

“Kosova, si një demokraci e re në Ballkan dhe Evropë, mbetet e përkushtuar të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të ecë përpara në rrugën euroatlantike, duke u mbështetur në dialog, bashkëpunim dhe miqësi të qëndrueshme me aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Gërvalla në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar të hënën letrat kredenciale nga…