
Gërvalla: Maskat ranë dhe bllokuesit po shihen
Deputetja Donika Gërvalla ka reaguar ndaj situatës së krijuar sot (e martë) në seancën konstituive, ku PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe deputetë të partive të tjera nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve, me arsyetimin se anëtarë të qeverisë, duke mos dhënë dorëheqje nga pozitat, po bëjnë shkelje kushtetuese.
Me këtë rast, ajo ka hedhur akuza të renda në drejtim të deputetëve që nuk e kanë votuar raportin.
“Maskat ranë dhe bllokuesit po shihen. Opozita e vjetër dhe e re në Kuvendin e Kosovës sot votoi kundër konstituimit të Kuvendit, kundër vetvetes dhe kundër rezultateve të certifikuara të KQZ-së. Ka pasur situata kur janë bllokuar qeveri përmes bojkotit apo votës kundër, por që deputeti i zgjedhur me votën e qytetarit, përfshi këtu edhe ata të përzgjedhurit e postierit në Zvicër e Gjermani, të votojë kundër vërtetimit të thjeshtë e formal të mandatit të vet, nuk ka ndodhur. Pikërisht këto janë metodat e atyre që, të dëshpëruar nga humbja për herë të dytë e pushtetit, tash sulmin e kanë orientuar jo vetëm kah fituesi bindës i zgjedhjeve, por edhe kah funksionimi i Republikës së Kosovës. Ky sulm ndaj funksionimit të vet Republikës nuk duhet të mbetet pa pasoja”, ka shkruar Gërvalla në “Facebook”.