Gërvalla, ministrit serb në KS të OKB-së: Kasapi i Ballkanit ishte Millosheviqi
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i ka reaguar ministrit të jashtëm serb Nikolla Selakoviq, i cili në mbledhjen e KS të OKB-së tha se kasapët e vërtetë të Ballkanit janë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Ajo ka thënë se kasapi i Ballkanit është Millosheviqi, duke theksuar se pjestarët e UÇK-së mbrojtën vendin e tyre.
“Nuk dua të humbasë shumë kohë këtu. Të gjithë e dini se çfarë ka ndodhur nën vitet e ’90-ta në Ballkan. Është vetëm një e vërtetë. Kasapi i Ballkanit është Millosheviq. Është turp që Serbia nuk e ka pranuar ende realitetin. Millosheviq nisi krimet e tij prej Sllovenisë në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e pastaj në Kosovë. NATO erdhi që të ndalojë atë. E kuptoj pse Rusia flet kundër neve. Ajo nuk është e kënaqur që Kosova është shtet i suksesit. Të jem këtu e teksa dëgjoj prezantuesen e Rusisë duke sulmuar UÇK-në, më kujton njerëzit heronj të Ukrainës që po mbrojnë vendin e tyre dhe propagandën që po bëni kundër tyre. Anëtarët e UÇK-së mbrojtën vendin e tyre dhe shtëpitë e tyre”, ka deklaruar Gërvalla.



