Gërvalla në Nju – Jork takohet me ministrin kroat, bien dakord për një komision të përbashkët për tregti

24 shtator 2025 | 11:44

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, është takuar me ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grliq – Radman, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

MPJD-ja ka thënë se Gërvalla dhe Radman kanë diskutuar për “hapat konkretë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë finalizimin e marrëveshjeve në proces, nga njohja e ndërsjellë e patentë-shoferëve, deri te bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes civile”.

MPJD-ja ka thënë se palët janë pajtuar “mbi rëndësinë e nxitjes së investimeve dhe krijimit të një Komisioni të përbashkët për tregti dhe ekonomi, në mënyrë që miqësia ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë të reflektohet drejtpërdrejt në zhvillim konkret për qytetarët”.

Në njoftimin e MPJD-së është thënë se në takim u diskutua edhe përfshirja e të rinjve në proceset shoqërore dhe demokratike.

“Forcimi i demokracisë kalon përmes përfshirjes së të rinjve. Kosova dhe Kroacia janë të vendosura t’i japin brezit të ri hapësirën që meriton, sepse nga ta varet e ardhmja e shoqërive tona”, citohet të këtë thënë Gërvalla.

Në mbyllje të takimit, Gërvalla është shprehur se Kosova “mbetet përherë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit, duke e konsideruar Kroacinë një shtet mik dhe partner të çmuar”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e udhëhequr nga prokurorja…