
Gërvalla niset për në Tiranë për takimin e Ministrave të Jashtëm në kuadër të SEECP-it
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që mbahet sot në Tiranë nën organizimin e Shqipërisë si Kryesuese e radhës e SEECP, me ftesë të ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.
Takimi ministror do të fokusohet në temën: “Fuqizimi i Konkurrencës Rajonale dhe rritja gjithëpërfshirëse, si rruga drejt Integrimit në BE për vendet pjesëmarrëse të SEECP-së që aspirojnë anëtarësimin”, duke ofruar një rast të mirë për të thelluar diskutimet rreth zhvillimit ekonomik, rritjes së konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e proceseve të integrimit evropian.
Pjesëmarrja e ministres Gërvalla në këtë takim tregon përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës ndaj bashkëpunimit rajonal dhe rrugës evropiane, si dhe mbështetjen për nisma që shtyjnë përpara paqen, stabilitetin, sigurinë dhe përparimin e përbashkët në Evropën Juglindore.