
Gërvalla takon Minxhozin, flasin për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemajl Minzhozin, me të cilin ka folur për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet dy vendeve.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë duhet të lënë menjanë politikën ditore kur bëhet fjalë për raportet bilaterale midis tyre, të fokusojnë energjitë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të nënshkuara midis dy vendeve, si dhe të harmonizojnë agjendat shtetërore, duke u bazuar në interesin tonë kombëtar, tha të hënën Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.
Ajo ka falënderuar ambasadorin Minxhozi për kontributin që Shqipëria ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat e bashkëpunimit, dhe në veçanti i shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar së fundmi me vaksinat anti-Covid për stafin shëndetësor kosovarë.
Gërvalla dhe Minxhozi kanë biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investimeve të ndërsjella, me synim gjenerimin e vendeve të reja të punës, në veçanti në fushën e turizmit.