
Gërvalla thotë se lufta në Ukrainë mund të depërtojë edhe në Ballkanin Perëndimor
Gjatë qëndrimit disa ditor në Izrael, ku ka pasur takime të shumta, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në intervistë për gazetën më të madhe, “Jerusalem Post”, ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të depërtojë në Ballkanin Perëndimor.
Nën titullin: “Lufta në Ukrainë mund të depërtojë në Ballkan, alarmon Gërvalla”, gazeta ka shkruar se ministrja nga Kosova ka bërë thirrje që zyrtarët e këtij shteti të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të ndihmuar në qetësimin e situatës.
“S’kemi dilema se çfarë po dëshiron të arrijë në Ukrainë presidenti rus Vladimir Putin. Ju mund t’i shihni ngjashmëritë se si po vepron Rusia tash në Ukrainë dhe si vepron Serbia në rajonin tonë. Shtetet si Izraeli mund të ndihmojnë në stabilizimin e rajonit”, ka cituar gazeta izraelite, ministren Gërvalla.
Ajo ka thënë se “jemi të shqetësuar se Ballkani mund të jetë zona tjetër e nxehtë”.
“Serbia nuk mund të ulet më në dy ulëse. Deri më tani ishte e mundur që Serbia të merrte para të BE-së dhe me këto para të BE-së të blinte armë ruse, por kjo nuk është më e mundur”, ka thënë kryediplomatja e Kosovës.