Gërvalla zhvilloi një bashkëbisedim me studentët e La Sapienza në Romë
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja me detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla ka marrë pjesë në një bashkëbisedim me studentët e Shkencave Politike të Universitetit “La Sapienza” në Romë, një prej institucioneve më të vjetra dhe më prestigjioze akademike në Evropë.
Gjatë këtij takimi me studentë, ministrja Gërvalla ka prezantuar rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, përkushtimin e vendit ndaj vlerave dhe standardeve të Bashkimit Evropian, si dhe rolin që Kosova luan në arkitekturën e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.
Ministrja Gërvalla theksoi se: “Si shtet i ri, me një shoqëri të re dhe dinamike, ne jemi të përkushtuar ndaj vlerave dhe standardeve evropiane, prandaj integrimi i Kosovës në BE nuk është vetëm aspiratë e jona, por edhe nevojë strategjike për vetë Bashkimin Evropian”.
Ministrja Gërvalla vlerësoi interesimin e studentëve të La Sapienza-s për zhvillimet në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar bashkëbisedimin si të hapur, të frytshëm dhe me diskutime substanciale.
“Të flasësh për Kosovën në këtë ambient, në zemër të Romës, do të thotë të ndërtosh ura të reja njohjeje dhe bashkëpunimi, por edhe të nxisësh interesin e gjeneratës së re për të ardhur në Kosovë për studime, hulumtime dhe praktika të ndryshme profesionale” tha Ministrja Gërvalla.
Gërvalla falënderoi ambasadoren e Republikës së Kosovës në Romë, znj. Nita Shala, Prorektorin Prof. Francesco Battaglia dhe Drejtoreshën e Departamentit të Shkencave Politike, Prof. Maria Cristina Marchetti, për organizimin, mikpritjen si dhe interesimin e studentëve.
“Studentëve të Shkencave Politike u uroj shumë suksese në studimet dhe në rrugëtimin e tyre akademik e profesional, me shpresën që Kosova të mbetet pjesë e hartës së tyre intelektuale dhe profesionale në të ardhmen” tha ministrja Gërvalla në mbyllje të diskutimit.



