Gërxhaliu: Dëme të mëdha ekonomike, komoditeti për eksperimentim me shtet është turp

29 korrik 2025 | 13:30

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe mosformimi i Qeverisë që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 po shkakton dëme të mëdha në aspektin ekonomik, vlerësoi njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Ai tha në intervistë për Ekonomia Online, e cilëson këtë situatë si një ndër periudhat më të errëta në historinë e re të Kosovës.

“Ik kapitali kosovar dhe investohet në vendet e rajonit e më gjerë. Kohët e fundit para shtrenjtimit të energjisë elektrike kemi shtim masiv të kompanive, të cilat bartin prodhimin në vendet e rajonit. Në këtë drejtim nga mungesa e institucioneve ne nuk kemi ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Dëmet aktuale janë pothuajse një miliard e 200 milionë euro, duke përfshirë afër 830 milionë euro, që kanë të bëjnë me fondet që kanë të bëjnë me agjendën për reformat e BE-së, që kanë të bëjnë me projektet e financuara nga ShBA-të dhe prej saj shtohet edhe fakti që kemi dy marrëveshje të paratifikuara me Bankën Botërore 230 milionë euro e treta është 90 milionë euro dhe ato janë të ngrira dhe paramendoni se cilat janë dëmet që po i shkaktohen Kosovës.

Sot për Kosovën dominon një heshtje në politikën evropiane dhe kjo është më e keqja që mund t’i ndodh Kosovës. Prandaj, besoj që në qoftë se dikush mendon të bëjë më tepër për Kosovën, është koha të kuptojmë dy termet: termin sakrificë dhe kompromis që për shtet dhe për ardhmërinë e qytetarëve të bëjë më tepër dhe jo lufta për pushtet të jetë dominante”, tha ai

Gërxhaliu tha se armiqtë më të mëdhenj të Kosovës nuk e kanë paraparë që Kosova do të jetë në një situatë të tillë, në të cilën është tani, në këtë kohë të turbulencave globale dhe botërore, ku definitivisht kriza edhe politike, edhe ekonomike, edhe gjeostrategjike është në lëvizje dhe një shtet i ri, siç është Kosova të ketë komoditetin apo luksin të eksperimentojë me shtet në këtë mënyrë, është më e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës.

“Që nga shkurti i vitit 2025 ne nuk kemi arritur të zgjedhim kryetarin e Parlamentit që është dobësia më e madhe dhe në këtë drejtim pasojat nga ky eksperiment i qëllimshëm politik në dëm të Kosovës do të jenë të shumta. Janë vërtet shqetësuese në aspektin gjeostrategjik, janë shkatërruese në aspektin politik, janë të dëmshme në aspektin ekonomik, janë të ngadalësuara në aspektin integrues, por duhet të analizohen edhe në aspektin psikologjik dhe emocional.

Si e ndiejnë veten sot qytetarët e Kosovës të jesh nën masa apo sanksione të BE dhe të kesh këtë komoditet për të eksperimentuar me shtet dhe për të luftuar vetëm për pushtet, është turpi më i madh”, tha ai.

Gërxhaliu thekson se në vend që të kemi institucione, të promovojmë Kosovën, të zhvillojmë ekonominë, t’i shpallim luftë inflacionit, të luftojmë që të eliminohen sanksionet, sanksione, të cilat i ka vetëm Rusia dhe Kosova momentalisht vërtet është një paradoks I kohës, që gjeneratat e ardhshme me një vetëdije më të lartë edhe kombëtare, edhe intelektuale do ta gjykojnë si një pjesë të errët të historisë së Kosovës.

“Duhet të kuptohet e vërteta që indikatorët apo parametrat ekonomikë në Kosovë janë mjaft shqetësues. Në rend të parë duhet të kuptohet që nuk mund të ketë prosperitet dhe zhvillim ekonomik pa stabilitet politik. Stabiliteti politik në Kosovë varet nga dy dimensione: nga aspekti intern dhe ekstern. Aspekti intern: vetë fakti që duke funksionuar me rënie të lirë apo me inerci të kohës pa institucione është e para.

 

E dyta është aspekti ekstern kur kemi jo vetëm pesë shtete të BE-së që nuk e njohin Kosovën, por i kemi edhe sanksionet, të cilat po e ngufatin perspektivën zhvillimore të Kosovës dhe definitivisht vendet e zhvilluara bëjnë çmos për t’ju afruar Amerikës dhe Evropës dhe Kosova po bën çmos që t’i largohet Amerikës dhe Evropës. Në këtë drejtim kemi rritje të importeve dhe tkurrje të eksporteve, kemi ikje të trefishtë nga Kosova, ku jo vetëm qytetarët e papunë por po ikin edhe ata që kanë stabilitet”, tha për EO, Gërxhaliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Heidenheim ka konfirmuar zyrtarisht afrimin e portierit shqiptar Diant Ramaj…