Gërxhaliu kundër rritjes së pagave për zyrtarët qeveritarë

13 qershor 2018 | 11:24

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka apeluar te ministri i Financave, Bedri Hamza, që mos ta nënshkruaj vendimin për rritje të pagave, i cili ka hasur në reagime të shumta në vend.

“Vendimi për rritje të pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Unë e ftoj ministrin e Financave, Bedri Hamza, që mos ta nënshkruaj këtë vendim sepse do ta dëmtojë shumë Kosovën”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, rritja e pagave për një pjesë të zyrtarëve shtetërorë do ta dëmtojë edhe më shumë sektorin privat, i cili në kohët e fundit po ndeshet me probleme të mëdha sa i përket gjetjes së fuqisë punëtore.

“Vendimi për rritje të pagave e dëmton Kosovën, në aspektin ekonomik, social, integrues, në veçanti në aspektin psikologjik, sepse është demotivues për të rinjtë”, ka thënë Gërxhaliu për “RTKLive”.

Ai ka bërë me dije se në fillim kanë menduar se Qeveria do të merret më shumë në edukim, e zhvillim ekonomik dhe promovim të ndërmarrësisë vendore, por me vendimin për rritje të pagave është në kundërshtim të këtyre objektiva.

“Kjo e dëshmon edhe shqetësimin tjetër që sot më tepër mbrohen interesat e grupeve të caktuara sesa interesat e qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Gërxhaliu.

Ai beson në profesionalizmin dhe etikën e ministrit Bedri Hamza se nuk do ta nënshkruajë vendimin për rritje të pagave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër (e enjte) Ministria e Infrastrukturës do të mbajë ceremoninë…