Gërxhaliu: Mosliberalizimi i vizave, pamundëson një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se pavarësisht se Kosova është pjesë e disa marrëveshjeve kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe nënshkruese e disa marrëveshjeve tregtare, mungesa e liberalizimit të vizave po shkakton probleme të mëdha te bizneset.
“Edhe pse ka pasur premtime të mëdha nga BE-ja për heqjen e vizave, edhe më tutje qytetarët e Kosovës janë të getoiuar për hir të politikës e cila në raste të caktuar është e korruptuar dhe ndëshkon padrejtësisht qytetarët dhe bizneset e Kosovës”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka theksuar se në të gjitha iniciativat rajonale, qoftë në CEFTA, në RCC, MSA, por edhe të tjera iniciativa, Kosova është e pabarabartë nga problemet që i ka me Serbinë.
“Mungesa e liberalizimit po i ngadalëson të gjitha proceset dhe po e vë Kosovën në pozitë të palakmueshme dhe nga i cili pozicion Kosova po ngecë”, është shprehur njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu.
Ai ka bërë me dije se Traktati i Romës i vitit 1958, Marrëveshja e Beneluksit dhe CEFTA, janë ndërtuar në parime të barabarta qoftë politike dhe ekonomike duke përshpejtuar proceset zhvillimore.
“BE-ja dhe donatorët ndajnë mjete dhe fonde për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës në forma të ndryshme, por mosliberalizimi dhe pamundësia për lëvizje po e bëjnë të pamundur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit janë premisa kryesore për zhvillim që qytetarët e Kosovës në Ballkanin Perëndimore nuk i gëzojnë”, ka theksuar Gërxhaliu.



